AKTUALITET, 24 Gusht 2024, 10:01

Ishte dënuar me burg për prostitucion, arrestohet 34-vjeçarja

Ishte dënuar me burg për prostitucion, arrestohet 34-vjeçarja

Një 34-vjeçare e shpallur në kërkim dhe e dënuar me 1 vit e 4 muaj burg për prostitucion është arrestuar nga policia e Tiranës.

Me anë të një njoftimi, blutë e kryeqytetit thonë se arrestimi i saj u bë në kuadër të operacionit të koduar “Location” në bashkëpunim edhe me policinë e Pogradecit.

34-vjeçarja akuzohet veprat penale “Prostitucioni” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të masave të përcaktuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit” u finalizua operacioni policor i koduar “Location”.

Kapet dhe ndalohet një 34-vjeçare e dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për ushtrim dhe shfrytëzim prostitucioni.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetaseje në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e saj përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat u kap dhe ndalua shtetasja A. Xh., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.