AKTUALITET, 4 Shkurt 2026, 12:31

Integrimi/ Siguria ushqimore, Balla: Një nga grup kapitujt më të vështirë për negociatat me BE! Shqipëria në rrugën e duhur, por duhet marsh më i shpejtë

Integrimi/ Siguria ushqimore, Balla: Një nga grup kapitujt më të

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka mbajtur fjalën e tij në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian për sigurinë ushqimore.

Balla u shpreh se rekomandimet e KE për sigurinë ushqimore, për vitin 2025, lidhen me një prej grup kapitujve më të vështirë, në procesin e negociatave. Ai tha se duhen pranuar disa kushte për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

"Ky aktivitet i sotëm vjen në një moment kyç. Viti 2026 në vlerësimin tim, pas 21 vitesh në Kuvendin e Shqipërisë, do jetë viti më intensiv i punës parlamentare, nuk ka të bëjë vetëm me ligjet që duhen kaluar. Vetëm në 2 seancat e fundit të Kuvendit, ne kemi kaluar mbi 30 ligje, kanë pasur si objekt çështje të përmbushjes së piketave, përgjatë procesit të negociatave. Mendoj që do jenë mbi 200 ligjet që do duhet të shqyrtojmë brenda këtij sesioni, që mbyllet në fund të korrikut, ose sesionit të dytë brenda këtij viti.

Biem të gjithë dakord që rekomandimet e KE për 2025 në fushën e sigurisë ushqimore, lidhen me një prej grup kapitujve më të vështirë. Diksuh mund të thotë, kapitull teknik, ju politika ku hyni këtu. Është kapitull me ndikim të drejtpërdrejt në politikë. Ajo lidhet me shëndetin e qytetarëve, besimin e konsumatorit, funksionimin e tregut të brendshëm në Shqipëri. Para se të hyjmë në BE, nuk duhet ta blejmë qumështin te cepi i rrugës. Ditën që je mbështetës i paepur për të hyrë në BE, duhet të pranojmë disa kushte. Do duhet të shkosh ta blesh aty ku qumështi shitet me standard dhe kjo ka një kosto. Ky te cepi i rrugës mund të jetë më i lirë, por nuk ka standard. Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë janë një gur themeli i këtij procesi. Duhet të përafrojmë kushtet. E vërteta në territor na flet ndryshe. Siguria ushqimore është shkencë, kushdo t’i hyjë debatit për këtë çështje.", theksoi ai.

Ndër të tjera, Balla deklaroi se Shqipëria është në rrugën e duhur, por duhet të ketë një marsh më të shpejtë.

"Na është kërkuar të përmirësojmë zbatimin e legjislacionit dhe forcimin e kontrollit. Një nga sfidat më të mëdha në procesin e sigurisë ushqimore, janë ushqimet e skaduara që hyjnë nga jashtë. Duhet një qasje shumë më pro aktive dhe më e zgjeruar e këtyre institucioneve. Ligji i ri për kontrollet zyrtare dhe puna për ligjin e ri të ushqimit, përbëjnë hapa moderne dhe të besueshme për sigurinë ushqimore. Shqipëria është në rrugën e duhur, thjesht duhet të ndryshojë marshin, një marsh më të shpejtë. Siguria ushqimore është siguri në të gjitha aspektet e saj. Kjo duhet reflektuar edhe në qasjen që duhet të kemi në marrëdhënien me procesin e negociatave. Sot, në BE, qoftë në PE, qoftë në Këshill apo Komision, ekziston një pritshmëri dhe vlerësim pozitiv për ritmin me të cilin Shqipëria po negocion dhe po jep rezultate në këto fusha.", përfundoi Balla.