TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Viti 2025 shënoi një rikonfigurim të rëndësishëm të tregut të sigurimeve të Jetës në Shqipëri, ku Albsig Jetë, e licencuar në shtator 2019, arriti të pozicionohet lider i tregut, vetëm në vitin e saj të gjashtë të operimit. Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania ka përfituar nga një rritje e fortë dhe e qëndrueshme, e udhëhequr kryesisht nga zgjerimi i ndjeshëm i portofolit të Sigurimit të Jetës së Debitorit.
Tregu i sigurimeve të jetës në rritje, por me ndryshime të forta strukturore
Në total, primet e shkruara bruto në sigurimet e Jetës u rritën me 17.6% në vitin 2025, duke arritur në rreth 2.44 miliardë lekë, nga 2.07 miliardë lekë një vit më parë. Megjithatë, kjo rritje nuk ishte lineare për të gjitha shoqëritë, pasi tregu u karakterizua nga zhvendosje të dukshme të peshave të tregut dhe nga rritje të diferencuara sipas produkteve.
Në këtë kontekst, Albsig Jetë rezulton performuesja më e spikatur e vitit, duke regjistruar një rritje vjetore të primeve të shkruara bruto prej 87.8%, nga 500 milionë lekë në 2024 në rreth 939 milionë lekë në 2025. Si rezultat, pjesa e saj në treg u zgjerua ndjeshëm, duke arritur në 38.6%, nga 24.1% një vit më parë.
Dyfishimi i Jetës së Debitorit, motori kryesor i rritjes
Performanca e Albsig Jetë është e lidhur ngushtë me ecurinë e Sigurimit të Jetës së Debitorit, segmenti dominues i tregut. Në vitin 2025, primet e shkruara bruto në këtë produkt u rrit me 15.3% në nivel tregu, duke arritur në 1.89 miliardë lekë.
Brenda këtij segmenti, Albsig Jetë shënoi një rritje mbi dyfish, me prime që u rritën nga 437 milionë lekë në 2024 në rreth 881 milionë lekë në 2025, ose 101.5% më shumë. Si pasojë, kompania rriti ndjeshëm peshën e saj në këtë treg, duke zotëruar 46.7% të totalit të primeve të Jetës së Debitorit, nga 26.7% një vit më parë.
Ky zgjerim reflekton jo vetëm rritjen e kreditimit dhe bashkëpunimin me sektorin bankar, por edhe kapacitetin e kompanisë për të menaxhuar volum të lartë kontratash, pasi numri i përgjithshëm i kontratave të sigurimit të Jetës në treg u rrit me 21.7%, ndërsa Jeta e Debitorit vijon të mbajë mbi 72% të totalit të kontratave aktive.
Menaxhim i kontrolluar i dëmeve dhe stabilitet financiar
Paralelisht me rritjen e shpejtë të primeve, Albsig Jetë ka ruajtur një profil të kontrolluar dëmesh. Në totalin e tregut, dëmet e paguara bruto në sigurimet e Jetës ranë me 4.2%, në rreth 320 milionë lekë.
Për Albsig Jetë, dëmet e paguara bruto u rritën në 41 milionë lekë, por pjesa e saj në total mbetet e përballueshme dhe në përputhje me zgjerimin e portofolit.
Spahiu: Rritje e ndërtuar mbi besimin e klientëve dhe mbështetjen e Grupit Kastrati
Drejtori i Përgjithshëm i Albsig Jetë, Ervin Spahiu, vlerëson se performanca e vitit 2025 është rezultat i një strategjie të ndërtuar mbi baza afatgjata:
“Viti 2025 konfirmoi pjekurinë e modelit tonë të biznesit. Rritja e fortë e Albsig Jetë është ndërtuar mbi partneritete të qëndrueshme, fokus te nevojat reale të klientëve, si edhe mbështetjen e madhe të Grupit Kastrati. Objektivi ynë për vitin 2026 është konsolidimi i mëtejshëm në tregun e Jetës dhe zgjerimi me produkte inovative.”
Me një ritëm rritjeje që e ka çuar nga një kompani e re në lider tregu brenda gjashtë vitesh, Albsig Jetë hyn në vitin 2026 me ambicien për të thelluar pozicionin dominues, duke u shndërruar në një nga aktorët kyç të zhvillimit të sigurimeve të Jetës në Shqipëri.