AKTUALITET, 4 Shkurt 2026, 09:25

Rama-gjyqtarëve: Ulje pagash? Nxirrni një dokument! Kushtetuesja s’mund të bëjë llogaritarin! SPAK e GJKKO përballen me presion e rrezik, po ju ça doni?

Rama-gjyqtarëve: Ulje pagash? Nxirrni një dokument! Kushtetuesja

Kryeministri Edi Rama theksoi se gjyqtarët kanë “folur” edhe për ulje pagash, ndërsa tha se për këtë pretendim duhet të nxjerrin një dokument të vetëm. Sipas tij, qeveria jo vetëm që s’e ka bërë këtë gjë por as nuk do ta bëjë.

Sipas Ramës, neni 138 në Kushtetutë, që i referohen gjyqtarët për rritjen e pagave, nuk ka të bëjë me këtë, por vetëm me faktin për të mos prekur pagat aktuale për t’i ulur, gjë që sipas tij, qeveria nuk e ka bërë.

“Flisni për zbritje fiktive në kategorinë më poshtë në pagën referuese të bëra nga ana e Këshilli i Ministrave. E vërteta është se dhe flisni edhe për ulje pagash. Si ka mundësi ta thoni këtë? Nxirrni një dokument të vetëm. Po kemi paga si gjykatësit në Greqi sot. Dmth ta dinë shqiptarët, jo t’i keni 2 mijë e tre mijë në muaj, por doni t’i rrisni me plus 2 mijë dhe 3 mijë dhe thoni se ne ua paskemi përkeqësuar pozicionin financiar juve. Këto janë dokrra. Nxirrni një dokument të përkeqësimit financiar, dhe jo në publik se nuk jeni parti politike për të bërë deklarata publike. Të bëni deklarata të tilla kur realisht ju cenohet pozicioni nga një forcë politike apo faktor. Kjo qeveri është garantja e pavarësisë tuaj. Mos dilni në publik e bëni fletë rrufera. Neni 138 i kushtetutës që i referoheni ju nuk ka asnjë këtë frymë dhe as këtë germë, neni 138 parandalon vetëm një gjë uljen e pagës dhe prekjen e asaj që është një e drejtë e fituar dhe këtë as nuk e kemi bërë dhe as nuk kemi për ta bërë këtë.”, tha Rama.

Sipas tij, gjyqtarët nuk mund të kenë epërsi mbi shoqërinë dhe shtetin sepse asnjë vendi i botës nuk e lejon. Ai gjithashtu tha se një gjë e tillë iu lejohet SPAK e GJKKO për misionin që kanë ndërmarrë, por shtoi se ata përballen me presion, sakrifica dhe ndonjëherë edhe me rrezik për shkak të grupeve kriminale, duke shtuar më pas pyetjen se gjyqtarët e tjerë “çfarë duan”.

“Nuk mund të kenë epërsi në pafundësi epërsi mbi të gjithë shoqërinë dhe piramidën e shtetit shqiptar sepse nuk e ka asnjë vend. Nuk mund ta keni. I është dhënë kjo epërsi gjykatës speciale dhe prokurorisë speciale për arsye të funksionit që ushtrojnë. Ajo është strukturë e përkohshme që ushtron një mision që në këtë kohë është përcaktuar si mision strategjik për transformimin e shtetit shqiptar.

Ata njerëz gjenden edhe në situata sakrifice, presioni, edhe rreziku për jetën e vet në një moment të caktuar për shkak se përballen me grupe kriminale e tjera. Po ju ça doni? Si e keni hallin se nuk e kuptoj. Nuk rritën pagat me gjykatë. Pse jeni ju ndryshe nga të tjerët. Pse nuk shkojnë dot mësuesit të rrisin pagat, shoferët, pastruesit në gjykatë. I kanë të tepërta apo aq shumë sa që nuk kanë më nevojë të rriten. Ju keni edhe gurin e arrën dhe thoni ne i rrisim vetë.


Nuk ka ndodhur që GJK të vihet në pozitën dhe të bëjë llogaritarin e pagave”, shtoi Rama.