AKTUALITET, 22 Shtator 2025, 21:13

Indrit Vokshi: Ramës i leverdis sjellja e të fortit që bën opozita në Kuvend

Indrit Vokshi: Ramës i leverdis sjellja e të fortit që bën

Analisti Indrit Vokshi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se Edi Rama, duke patur një shumicë të cilësuar mandatesh në Kuvend, nuk ka nevojë më për konsensusin e opozitës. Nga ana tjetër Vokshi u shpreh se kjo opozitë që është në kuvend, me aktet që kryen, i leverdis Ramës.

“Rama ka ardhur me arrogancën e 83 mandateve plus 3 të PSD-së dhe në atë egon dhe arrogancën e tij nuk ka më nevojë për konsensusin e opozitës. Rama që në 2013 ka thënë se ligji dhe shteti nuk funksionon, por unë do të jem i drejtë. Ky ishte fjalimi i parë në parlament.

Rama mundet të qeverisë me parlament të mbyllur. Ka ndodhur në 45 vjet që të qeveriset pa parlament, me sesione parlamentare 6-mujore.

Tani ose PD nuk di rrugë tjetër veç rrugës dhe rrëmujës si kulti i kaubojsit, ose ka frikë se deputetët që ka aty kanë nivel të ulët parlamentar.

Kjo është e leverdishme për Ramën. Opozita duhet të delegjitimojë pushtetin, duke parë argumentin politik, duke qenë më politik, më orator. Duke mos qenë kështu mbajnë ultrasit, të fortët, që gjuajnë me shishe, grushte, me kushtetutë. Kjo e mbyll luftën politike.

Ata nuk duan që të relativizohen si opozitë, duan monopolin”.