TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar pjesërisht vendimin ndaj ish-zyrtarit Alqi Bllako, duke e shpallur të pafajshëm për një nga rastet e korrupsionit pasiv.
Më konkretisht bëhet fjalë për episodin e marrjes së 7.52 milionë lekëve rrogë nga Vladimir Bezhani, me arsyetimin se nuk përbën vepër penale. Apeli la ndërkohë në fuqi vendimin për përfitimin e parregullt të 119 mijë eurove, që ka marrë nga pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Në zbatim të gjykimit të shkurtuar, Apeli uli me 1/3 masën e dënimit, duke e dënuar përfundimisht Bllakon me 2 vite burgim. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënien e tij në shërbim prove, me detyrimin për të mbajtur kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës në Tiranë.
Njoftimi i Apelit te GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më 20.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 30 akti, datë 11.03.2026 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 69, datë 04.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
-Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.B, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021, për faktin penal lidhur me përfitimin e parregullt për shtetasin V.B në vlerën 7.520.000 (shtatë milion e pesëqind e njëzet mijë) lekë, për shkak se fakti nuk përbën vepër penale.
-Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A.B i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë për faktin penal të përfitimit të parregullt të shumës 119,715 (njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë) euro, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
–Në bazë dhe për zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit A.B për një periudhë kohe të barabartë me dyfishin e pjesës së mbetur të pavuajtur të dënimit me burgim.
-Detyrimin e të pandehurit A.B të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.
-Detyrimin e të pandehurit A.B të mos shoqërohet me persona të dënuar.
-Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
U shpall në Tiranë, sot më datë 20.05.2026.