TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Konferencën Aziatike të Lidershipit në Seul, ku ka folur për rolin e historisë, zhvillimit dhe lidershipit në fatin e kombeve. Në fjalën e tij, Rama theksoi se gadishulli korean është shembulli më i qartë se historia nuk është përcaktuese e vetme e fatit të një vendi, por janë zgjedhjet politike dhe shoqërore ato që e formësojnë atë.
“Koreja është dëshmi që historia ka rëndësi, por e vetme nuk vendos fatin. Nuk ka vend tjetër nga ky gadishull ku kjo ilustrohet më mirë. Fatet e kombeve nuk marrin formë nga aty ku zënë fill, por nga zgjedhjet që bëjmë”, u shpreh Rama. Ai solli në vëmendje kontrastin mes dy Koreve, duke e cilësuar njërën simbol të zhvillimit dhe tjetrën shembull të izolimit dhe sundimit të forcës, duke e lidhur këtë edhe me përvoja historike të Shqipërisë.
Sipas tij, Shqipëria ka kaluar një periudhë izolimi të ngjashëm me atë që ai e cilësoi si “Koreja e Veriut e Europës”, por sot vendi po ndjek një rrugë tjetër, të ndërtimit të institucioneve demokratike, modernizimit dhe integrimit në Bashkimin Europian. Rama përmendi gjithashtu zhvillimet në Azi, duke vënë në dukje transformimin e Japonisë, Singaporit, Tajvanit, Malajzisë dhe Tajlandës, si dhe ndryshimet historike në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën gjatë periudhave të ndryshme politike.
“Pragmatizmi sfidon ideologjinë”, tha ai, duke iu referuar reformave të Kinës dhe ndryshimeve globale që kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendeve.
Në vijim të fjalimit, Kryeministri foli edhe për konceptin e lidershipit, duke e përshkruar atë si një proces të vështirë vendimmarrjeje në kushte pasigurie dhe presioni publik.
“Sot kur komentet vijnë më shpejt se përgjegjësia, kur gjysmë të vërtetat ndjekin çdo hap, lidershipi i vërtetë është të vazhdosh përpara pavarësisht zhurmës”, u shpreh Rama. Duke iu referuar historisë së dy Koreve, ai solli një anekdotë simbolike për “ferrin dhe parajsën”, për të ilustruar idenë e bashkëpunimit dhe solidaritetit si faktorë që përcaktojnë mirëqenien e një shoqërie.