TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi thotë se duhet të ngremë zërin për atë që ka ndodhur me Çamërinë. Nga Kuvendi, duke folur për gjenocidin në Çamëri, Idrizi u shpreh se kjo çështje nuk duhet të trembë askënd por duhet luftuar për të drejtat e mohuara.
“Më kujtohet një plak i Kosovës kur po flisnim për masakrën e Reçakut, dhe kur e pyetën se kanë kaluar 25 vjet. Tha ‘Gjenocidi nuk ka moshë’. Prandaj jemi këtu për ta sfiduar derisa të kemi drejtësi. Prania jonë sot është respektimi dhe përkujtimi më i mirë që mund t’i bëjmë ndaj kësaj drame të madhe kombëtare. Sot është data 10 qershor dhe për ne është dita e Lidhjes së Prizrenit, ditë kur shqiptarët u bënë bashkë për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare nga fuqitë e huaja. Në Çamëri u krijua lidhja shqiptare e jugut, me Abdyl Frashërin dhe Abedin Bej Dinon, një figurë e jashtëzakonshme e beut të Prevezës, ish ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane, i thirrur në të gjithë negociatat për 30 vjet, nga 1878-1913, punoi dhe bëri gjithçka që të ndalonte copëtimin e Çamërisë. Në përkujtim të kësaj dite vendosëm që ky aktivitet, në parlamentin e Shqipërisë të na bashkojë bashkë, përfaqësues të politikës, akademikë për të ngritur zërin për një nga gjymtyrët e prera të kombit shqiptar, për Çamërinë.”, tha ai.
Idrizi thotë se me Çamërinë janë shkelur konventat ndërkombëtare.
“Dua t’ju rikujtoj edhe konventat ndërkombëtare që janë shkelur me masakrën dhe gjenocidin e Çamërisë. Konventa për parandalimin e krimeve të gjenocidit të viteve 1945, konventa për krimet e luftës në 1968 dhe konventa e shoqërisë demokratike sot, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Çështja çame s’duhet të trembë askënd prej nesh. Është e drejta e jetës së mohuar, e drejta e pronës së tjetërsuar, dinjiteti njerëzor i masakruar. Ndaj ne sot duhet të jemi të vetmit që nuk mund të ndihemi as në faj dhe as të trembur sepse jemi në trojet dhe në të drejtën tonë kombëtare.”, -tha mes të tjerash ai.