AKTUALITET, 13 Mars 2023, 09:11

Atentati në Tiranë, flet babai i një prej të plagosurve: Im bir ishte duke pirë kafe

Atentati në Tiranë, flet babai i një prej të plagosurve: Im

Babai i një prej të plagosurve në atentatin e 12 marsit në mbrëmje në zonën e Don Boskos në Tiranë, ka treguar se kanë qenë dy autorë që kanë qëlluar me breshëri në drejtim të lokalit në pronësi të Fatjon Muratit.

Babai i Emanuel Salës, nga Spitali i Traumës tha se i biri i tij ka marrë dy plumba, teksa ka qenë duke pirë kafe në lokal.

“Më mirë është ka shpëtuar jeta. Nuk dimë gjë fare, ka qenë në lokal duke pirë kafe, kanë vajtur dy vetë me armë kanë gjuajtur e s’kanë parë brenda. E kishim shtëpinë afër dhe e morëm vesh. Ka dy plumba djali. Ka dalë nga salla. Nuk kemi dëgjuar të shtëna, na kanë njoftuar njerëzit te shtëpia që e kemi afër”, u shpreh ai për Euronews Albania.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta,  nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.

Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.