TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dënuar atentatin e ndodhur një natë më parë në Don Bosko.
Në një postim në Facebook, Meta shkruan se ngjarja e rëndë ku mbeti e vrarë një grua ndodh pasi kriminelët qarkullojnë lirshëm në rrugët e Tiranës dhe rrezikojnë çdo ditë jetën e qytetarëve.
Meta shton se kjo situatë e rendit dhe sigurisë publike, që përkeqësohet çdo ditë dhe çdo orë tregon qartë se qeveria ka dështuar totalisht dhe e ka futur vendin në kaos.
Postimi i Metës:
Pa kaluar dy javë nga vrasja makabër e tre grave të pafajshme krimi godet sërish, kësaj radhe duke rrezikuar në mënyrë ekstreme jetën e njerëzve të pafajshëm në lagjen e Don Boskos. Kriminelët lëvizin lirshëm në rrugët e Tiranës dhe rrezikojnë çdo ditë jetën e qytetarëve.
Kjo situatë e rendit dhe sigurisë publike, që përkeqësohet çdo ditë dhe çdo orë tregon qartë se qeverisja e rilindjes ka dështuar totalisht dhe e ka futur vendin në kaos. Qeveria nuk ka bërë asgjë për ndalimin e kriminalitetit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e veprave kriminale ndaj të cilave po ekspozohen të pambrojtur qytetarët shqiptarë.
Qytetet tona meritojne dhe kërkojne siguri, që qeveria e inkriminuar rilindase j'ua ka mohuar për shkak të kapjes së saj nga krimi. Ndaj të ngrihemi të gjithë në këmbë për të realizuar Ndryshimin, që mbron qytetarët dhe familjet e tyre nga krimi.
Ngjarja ndodhi një natë më parë në Don Bosko. Dy persona me motorë qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 60 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer.
Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati.
Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij.