AKTUALITET, 25 Janar 2022, 21:43

Eksplozivi në shtëpinë e Armando Dukës, identifikohet autori i dyshuar

Eksplozivi në shtëpinë e Armando Dukës, identifikohet autori
Armand Duka, në lagjen ku banon - Durrës

Identifikohet autori i dyshuar për shpërthimin me eksploziv pranë shtëpisë së Armando Dukës.

Top Channel mëson se grupi hetimor ka mundur të identifikojë personin e dyshuar përmes shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë përgjatë rrugës që ka ndjekur autori. Burime të sigurta bënë me dije se po shoqërohet për të dhënë shpjegime shtetasi Arlen Hasanaj, banor i lagjes 4 të qytetit bregdetar.

I dyshuari është  sipërmarrës dhe ende nuk dihet konflikti që mund të ketë, mes tij dhe Armando Dukës.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi që vendosi dhe aktivizoi lëndën eksplozive pranë portës së oborrit të familjes Duka, është fiksuar nga kamerat e sigurisë në rrugën paralele me portin duke hipur në një automjet tip ML të cilin e ka lëvizur pak metra. I riu me kapuç është parë të futet edhe në një pallat në Durrës. Kanë mjaftuar këto pamje për ta çuar grupin hetimor drejt zbulimit të identitetit përmes targës së automjetit.

Nga veprimet hetimore rezulton se A.H. është banor i pallatit ku kamerat e sigurisë e kanë fiksuar natën e së hënës duke hyrë e dalë. Ai është një person pa precedentë penalë.