TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, pesë punonjës të Kadastrës.
Sipas KLSH-së, ata akuzohen per shpërdorim detyre.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka zhvilluar auditimin me objekt “Mbi procedurën e pranimit dhe administrimit të dokumentacionit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe auditimin e ligjshmërisë dhe përputhshmërisë në kryerjen e procedurave të legalizimit për periudhën e funksionimit” në Drejtorinë Vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK) Lushnje.
Nga ky auditim janë konstatuar një sërë veprimesh dhe/ose mosveprimesh të ndërmarra nga ana e ish Drejtorit të ALUIZNIT, Drejtoria Rajonale Lushnje, ish drejtorit të DVASHK Lushnje, një Përgjegjës Sektori dhe dy specialistë në DVASHK Lushnje. Këto (mos)veprime të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë detyrën e tyre funksionale, kanë sjellë si pasojë dëmtimin e rëndë të interesave të ligjshme të shtetit dhe/ose personave të tretë.
Për sa më sipër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje kallëzimin penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.”
Po ashtu KLSH ka kallëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat tre funksionarë të Drejtorisë Vendore të Aluiznit, Berat.
"Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr.536/1, datë 14.05.2021, i ndryshuar, ka zhvilluar në subjektin Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK) Berat auditimin me objekt “Mbi auditimin e ligjshmërisë në kryerjen e procedurave të legalizmit të objekteve informale si dhe auditimin e procedurave të pranimit, administrimit, shqyrtimit dhe miratimin e dokumentacionit për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme dhe evidentimin e ligjshmërisë së mbivendosjeve”.
Nga auditimi janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga ana e dy ish Drejtorëve të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Berat dhe një punonjësi me detyrë ish Regjistrues në ZVRPP Berat (aktualisht DVASHK Berat), të cilët në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore përkatëse, si dhe mospërmbushjen e rregullt të detyrës së tyre, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat kallëzimin penal për dy ish drejtuesit dhe ish regjistruesin.