AKTUALITET, 4 Qershor 2024, 14:15

Dhunimi i Sokol Mëngjesit, Dhoma e Avokatisë propozon tre ditë bojkot të seancave

Dhunimi i Sokol Mëngjesit, Dhoma e Avokatisë propozon tre ditë

Dhoma Kombëtare e Avokatisë është mbledhur ditën e sotme për të marrë një vendim mbi qëndrimin që do të mbajë pas dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, mëngjesit të 29 Majit në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Burime për mediat bëjnë me dije se ka një propozim të anëtarëve të këshillit drejtues të Dhomës së Avokatisë për tre ditë bojkot të seancave gjyqësore.

Para se të niste mbledhja me dyer të mbyllura, kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia deklaroi se avokatit Sokol Mëngjesit do t’i duhen disa ditë që të bëhet gati për t’u zgjuar nga koma, teksa shtoi se juristi ka dëmtime në sistemin nervor, siç theksoi ai, veçanërisht në edemat që janë të rrezikshme për jetën e njeriut.

“Dua t’ju informoj për gjendjen shëndetësore, dje është çuar me avion ambulancën në Greqi në një klinikë të specializuar dhe u informova që parametrat shëndetësorë ka në kuotat e mira shëndetësore. Trajtimi do të vazhdojë dhe duhen ditë që ai të bëhet gati për t’u zgjuar nga koma artificiale për shkak të dëmtimeve që ka në sistemin nervor dhe kryesisht në edemat që janë të rrezikshme për jetën e njeriut kur pëson trauma të tilla.

I urojmë shërim të shpejtë dhe të jetë sa më shpejt në gjirin tonë. Por para së gjithësh për jetën e vet, të ketë shëndetin, ti minimiziohet stresi atij dhe familjes, por edhe neve”, tha ai.

Gjithashtu, Maks Haxhia bëri thirrje që politika të heqë dorë nga tipizimi i avokatëve si shkaktarë të situatave. Sipas tij avokati është niveli më i lartë intelektual i drejtësisë që ndihmon në realizimin e drejtësisë.