TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Izraeli ka sulmuar pas mesnate centralet bërthamore në vende të ndryshme të Iranit. Shpërthime janë raportuar edhe në Teheran. Një valë tjetër sulmesh u raportuan sërish më vonë. Sulmet u kryen në 8 qytete. Të paktën pesë persona u vranë dhe 50 të tjerë janë plagosur. Viktimat u raportuan në zonën Narmak të Teheranit.
Sipas La Repubblica, ushtria izraelite ka sulmuar të paktën 6 baza rreth Teheranit, përfshirë bazën Parchin, një kompleks prodhimi raketash i dyshuar në të kaluarën se është përfshirë në teste bërthamore. Avionët luftarakë izraelitë goditën edhe centralin bërthamor Natanz, në jug të Teheranit, por edhe disa pozicione ushtarake të vendosura në periferi të kryeqytetit. Përveç qytetit kryesor të vendit, Tabrizit, në veriperëndim dhe ku ndodhen rafineritë kryesore, u sulmuan edhe qytetet e Esfahanit, Arakut dhe Kermanshahit.
Sipas mediave, në Teheran, sulmi izraelit goditi disa ndërtesa që strehonin komandantë të lartë ushtarakë iranianë. Një zyrtar izraelit i mbrojtjes tha se sulmi kishte në shënjestër edhe Shtabin e Përgjithshëm iranian, përfshirë shefin e shtabit, dhe shkencëtarët kryesorë bërthamorë iranianë.
Shkencëtari bërthamor Mohammad-Mehdi Tehranchi dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Fereidoun Abbasi, u vranë në sulme. Raportohet se është vrarë gjithashtu edhe Komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei tha në një deklaratë se Izraeli kishte “lëshuar dorën e tij të ligë dhe të përgjakshme” dhe se do të kishte “një fat të hidhur për veten”. “Regjimi sionist i ka sjellë vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm”, tha Ali Khamenei, duke përsëritur se Izraeli “do të vuajë një ndëshkim të rëndë”.
Nga ana tjetër, Izraeli shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në pritje të sulmeve hakmarrëse me raketa dhe dronë. Ministria e Transportit njoftoi se hapësira ajrore e shtetit të Izraelit deri jetë e mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm. IDF tha se dhjetëra avionë të Forcave Ajrore kryen sulmin fillestar në kuadër të operacionit “Luani që ngrihet”. Sipas IDF, sulmi ishte në përgjigje “të agresionit të vazhdueshëm të regjimit iranian kundër Izraelit".
Kryeministri izraelit Benjamin Netahyani deklaroi se kishin goditur "zemrën e programit të pasurimit bërthamor të Iranit dhe përpjekjet e tij për të zhvilluar një armë bërthamore", duke shtuar se sulmi kishte në shënjestër impiantin kryesor të pasurimit të Iranit në Natanz, si dhe shkencëtarët kryesorë bërthamorë iranianë të përfshirë në zhvillimin e bombës dhe thelbin e programit të raketave balistike të vendit.
"Ne do të vazhdojmë për ditë të tëra, për aq kohë sa të duhet", shtoi Netanyahu.
Ndërkohë, SHBA-të kanë deklaruar se kanë qenë në dijeni të sulmit, por nuk janë përfshirë. Presidenti amerikan e tha këtë për Fox Neës. Por edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, deklaroi:
"Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të angazhuar në sulme kundër Iranit dhe përparësia jonë kryesore është të mbrojmë forcat amerikane në rajon. Izraeli na ka komunikuar se beson që ky veprim është i nevojshëm për vetëmbrojtjen e tij", tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.
"Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe për të mbetur në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë. Më lejoni të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat ose personelin amerikan", përfundoi Rubio.