TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, gjatë një lidhje direkte për emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, deklaroi se zgjatja e hetimeve dhe mbajtja e Metës në burg, janë akte të frymëzuara politikisht dhe se drejtësia politike është e vështirë të çmontohet me argumenta juridike. Cakrani shtoi se SPAK ka kërkuar "në të gjithë planetin" prova për Metën, por nuk kanë gjetur gjë dhe pasuria e ish Presidentit "është zero".
"U zgjatën hetimet sepse zotit Meta në datën 10 Qershor i përfundonte afati një vjeçar. Ishte regjistruar procedim penal. U vendos masa e sigurisë arrest me burg në 19 tetor 2024 dhe prej asaj date është në arrest me burg. SPAK duke parë përfundimin e afatit, na komunikuan se do të zgjatet hetimi edhe 3 muaj, sepse nuk kanë administruar disa prova, sipas tij një analizë financiare të ish vjehrrës së zotit Meta. Unë mund t’ju kujtoj se çështja ndaj zotit Meta është regjistruar në dhjetor 2019. Zoti Dumani pasi bëri betimin para zotit Meta, regjistroi procesim ndaj tij. Prej dhjetor 2019, zoti Meta është nën hetim. Kjo na ka bërë dyshues, sepse të mbash një person në një përndjekje 6 vjeçare, kjo është e papranueshme për një shtet të së drejtës. Zoti Meta, pretendon se është arrestim politik dhe ne e kemi përmendur, se është arrestim politik. Në praktikën europiane të të drejtave të njeriut, në të gjithë vendimet, nuk ka ndodhur të arrestosh një ish President për vepra penale që presupozohet që kanë ndodhur 10-15 vite më parë. Zoti Meta nuk është kundër hetimit, por kundër masës represive sepse është e paprecedent. Jemi dyshues dhe mendojmë se ka nuancë politike. Arrestimi i tij, mënyra kriminale e një shteti terrorist, të lë të dyshosh, që është një akt politik ndaj tij.
Akuzat politike janë të vështira ti çmontosh me mjete juridike. Edhe Trump u bë President dhe çmontoi 94 akuzat që i ngritën. Ne do të vazhdojmë betejën tonë. Padyshim zoti Meta e di nga kush e ka këtë dhe ai padyshim shigjetat i ka drejt kryeministrit. Kam folur edhe dje me të, kam bindjen si avokat, e mbroj juridikisht, por Shqipëria pas vitit 2021 quhet vend me autokraci elektorale, ku autokrati kontrollon prokurorinë dhe gjykatën, është e vështirë të kërkojmë drejtësi te autokrati që kontrollon gjykatat. Ne jemi përballë këtij realiteti. Këtë po e provon zoti Meta dhe të gjithë ata që autokrati i merr në përgjegjësi penale. Meta u arrestua pasi Rama foli nga kryesia e PS që SPAK të veprojë. U detyrua SPAK të veprojë. Ne do të vijojmë me mjete juridike, por këto janë akuza politike. Nuk ia kanë dalë edhe liderë të tjerë në vende perëndimore. Beteja jonë vijon në Strasburg. Do të paraqesim në GJK kërkesën për masën e arrestit. Presim përfundimin e hetimeve. Janë bërë në të gjithë planetin tokë, letër-porosi për zotin Meta dhe kanë gjetur zero pasuri. Publiku duhet të kuptojë, që akuzat politike është e vështirë ti çmontojë studio ligjore. SPAK në planetin tokë ka mbaruar punë me Metën dhe pasuria e tij është zero", tha ndër të tjera Cakrani.