TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kurbini është tronditur ditën e djeshme (6 Tetor) nga një breshëri kallashnikovi lëshuar mbi shtëpinë e një emri të njohur.
Autorët u larguan nga venngjarja dhe fatmirësisht nuk pati të lëmduar. Ndërkohë që sulmi mbi këtë banesë është i dyti pas një tritoli të vendosur në marsin e këtij viti.
Si atëherë, edhe dje, Policia e Kurbinit, menjëherë e ka referuar ngjarjen si hakmarrje duke rikthyer në vëmendje një mori ngjarjesh të rënda ku pretendohet se janë të përfshirë njerëz të familjes Lika.
Në fakt, bëhet fjalë për djalin e të zotit të shtëpisë dhe për një tjetër të afërm, nipin, të dy të implikuar sipas policisë dhe prokurorisë së Kurbinit në dy ngjarje të rënda, në të cilat u vranë tre persona, të tre biznesmenë.
Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet edhe për rastin e djeshëm, por ende nuk kanë hedhur dritë mbi sulmin me tritol që iu bë kësaj banese në marsin e po këtij viti.
Sipas policisë së Lezhës, banesa e Skënder Likës, në Sanxhak të Kurbinit u bë sërish objektiv të shtënash me armë zjarri mesditën e djeshme. Pronari i shtëpisë, bashkë me djalin Llej Lika, u akuzuan për një vrasje në dhjetor të vitit 2021. Sulmi fatmirësisht nuk shkaktoi viktima edhe pse brenda shtëpisë ishin anëtarët e familjes Lika, të cilët sapo kishin mbërritur pasi nuk jetojnë aty.
Policia lokale tha se të shtënat shkaktuan vetëm dëme materiale. Nga pyetja e dëshmitarëve, hetuesit mësuan se autorët kanë qëlluar nga një makinë tip “Audi”, me xhama të zinj, dhe më pas janë larguar.
Vila e Skënder Likës, në mars të këtij viti u dëmtua nga një shpërthim eksplozivi. Hakmarrja dyshohet si shkak në të dy rastet, pasi Llej Lika, bashkë me të atin u arrestuan në dhjetor 2021 për vrasjen e biznesmenit Rakip Roli që po lëvizte me makinën e tij “Audi Q7” në rrugën Laç-Mamurras.
Për këtë krim vazhdon të jetë i burgosur 34-vjeçari Llej Lika, ndërsa babai i tij, Skënderi u la i lirë disa muaj pas arrestimit pasi nuk iu faktua pjesëmarrja në atë ngjarje. Atentati i 10 dhjetorit 2021 dyshohet se ndodhi për hakmarrje për dhunimin e Llej Likës nga djemtë e viktimës, Rakip Roli, që njihej me emrin “pilot”.
Nga ana tjetër, Skënder Lika është xhaxhai i Ilir Likajt i njohur edhe me mbiemrin Xhepaj, i arrestuar për vrasjen e dy biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, në hotelin që gjendej në autostradën që lidh Mamurrasin me Lezhën.
“Në Sanxhak, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit S. L. dhe më pas janë larguar me një automjet. Nga të shtënat ka vetëm dëme materiale. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, si dhe vijojnë hetimet dhe krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Gjithashtu, janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore, për bllokimin e automjetit, tashmë të identifikuar nga Policia, me të cilin janë larguar autorët. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove që do të bëjë të mundur zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njoftoi Policia ditën e djeshme.
Në fakt, mjeti është parë nga disa kalimtarë të rastit, ndërkohë që nuk dihet nëse janë fiksuar në ndonjë kamera në zonën e Laçit nga kanë kaluar autorët e sulmit, por Policia e Kurbinit deri mbrëmjen e djeshme nuk ka bërë me dije shoqërimin e asnjë të dyshuari për atë sulm./Panorama