AKTUALITET, 18 Gusht 2023, 13:57

Humbën rrugën gjatë natës në Orikum, policia gjen pas katër orësh kërkime turistët francezë

Humbën rrugën gjatë natës në Orikum, policia gjen pas

Dy turistë francezë kanë humbur rrugën gjatë natës në zonën e quajtur “Qafa e Thellë”, në Orikum.

Mësohet se pas katër orësh kërkime, blutë kanë bërë të mundur gjetjen e tyre dhe u kanë shkuar në ndihmë fillimisht me ujë dhe me ushqime. Më tej, i kanë shoqëruar deri te vendi ku ishin akomoduar për qëllime turistike.

Njoftimi i Policisë:

Humbën orientimin gjatë natës, në një terren të thepisur, në zonën e quajtur “Qafa e Thellë”, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum iu shkojnë në ndihmë 2 turistëve francezë.

Pas marrjes së njoftimit se 2 turistë francezë kishin humbur orientimin gjatë natës dhe për këtë shkak, kishin mbetur të bllokuar në zonën e quajtur “Qafa e Thellë”, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, të asistuar nga inspektorë të zonave të mbrojtura, kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë këtyre turistëve.

Pas 4 orësh kërkime, u bë i mundur lokalizimi i 2 turistëve francezë, të cilët fillimisht janë asistuar me ujë dhe me ushqim, dhe më pas janë shoqëruar nga punonjësit e Policisë, deri te vendi ku ishin akomoduar për qëllime turistike.

2 turistët francezë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar punonjësit e Policisë , për gatishmërinë e treguar.

Policia e Shtetit fton çdo qytetar/turist që gjendet në një nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë, të kërkojë ndihmë, dhe reagimi do të jetë i menjëhershëm.