AKTUALITET, 2 Dhjetor 2023, 14:31

“Hierarkitë në PD nuk duhet të emërohen e as të jepen”- Fisnik Qosja në Kuvendin Kombëtar: Duhet të ndryshojmë kurs, të korrigjojmë veten

“Hierarkitë në PD nuk duhet të emërohen e as të

Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja gjatë fjalës në Kuvendin Kombëtar është shprehur se Partia Demokratike duhet të ndryshojë kurs, duke u bërë një parti më e hapur.

Kryebashkiaku Qosja theksoi se korrigjimi duhet të nisë nga vetja, teksa shtoi se “hierarkitë në PD nuk duhet të emërohen e as të jepen”.

“E ndiejmë se qytetarët kanë sytë  çdo ditë e më shumë  tek ne, tek opozita shqiptare. Ata presin prej çdo dite përgjigje, zgjidhje, rrugëdalje, shpresë, perspektivë. A po i japim ne këto? Unë e them me bindje se me gjithë përpjekjen tonë kaq nuk është e mjaftueshme”, tha ai.

Fisnik Qosja theksoi se arma e tyre e vetme përballë socialistëve janë idealet e tyre dhe se duhet t’i tregojnë njerëzve që kanë moralin për të qeverisur vendin.

Deklarata e plotë:

Po e nis këtë fjalë time me një urim me dorën në zemër: Uroj që ky Kuvend të jetë hapi i parë i  nisjes sonë të re drejt  kthimit  si forcë e parë politike në vend, me shtytjen dhe bekimin e  historisë sonë  politike, me thirrjen e së ardhmes, me forca të reja, me energji të reja, me ide të reja, me frymëzime të reja,  më të  bashkuar  se kurrë me njëri tjetrin dhe me qytetarët shqiptarë.

Kjo është pritshmëria që kanë qytetarët tek ne dhe ky është borxhi që i kemi demokratëve.

Ajo që na ka mbledhur dhe na mban të  bashkuar në këtë  shtëpi politike është pikësëpari dashuria për Shqipërinë, pasioni për t’i shërbyer asaj, për t’i rikthyer sistemin e vlerave që na dallojnë si familje politike në qendër të së cilit janë dinjiteti dhe liria e individit, për ta bërë vendin tonë më të begatë e të jetueshëm për familjet tona, për shoqërinë tonë dhe për fëmijët tanë.

Të gjithë së bashku pak më shumë se një vit më parë kemi vendosur në murin e vlerave  tona një parim thelbësor, i cili është guri i parë të gjithë ngrehinës politike që duam të ndërtojmë.

Qytetari dhe anëtari në qendër të çdo vendimmarrje politike.

Të gjithë jemi aksionerë të barabartë në këtë organizatë të lirë e të madhe politike. Të zgjedhurit dhe drejtuesit pa përjashtim janë e duhet të  jenë  të parë mes të  barabartëve.

Hierarkitë në PD nuk duhet të emërohen e as të jepen, por të krijohen e mbahen në bazë të  kontributeve, rezultateve, respektit dhe besimit të anëtarëve dhe mbi të gjitha, të qytetarëve.

Nuk duhet të harrojmë se demokratët janë më shumë se anëtarët e Partisë Demokratike dhe shqiptarët janë më shumë se demokratët.

Në këtë kontekst ne duhet të hapemi dhe një parti e hapur është një parti që jeton orë e çast me problemet e njerëzve pa dallime politike, një parti që gjen arsye dhe tek kundërshtari, një parti që di të dëgjojë, di të reagojë, di të  propozojë, di të luftojnë  në të mirë të qytetarëve.

Jemi shumë, por bashkë me qytetarët jemi shumë më shumë. Jemi fitues.

Partia Demokratike, demokratet kanë shkruar faqet me të ndritura  të historisë së tranzicionit shqiptar.

Arritjet peshojnë në përvojën tonë. Por mangësitë dhe gabimet peshojnë në vetëdijen  tonë për t’u korrigjuar e  përmirësuar.

Partia Demokratike është sërish në qendër të skenës dhe  zhvillimeve politike  në vend.

E ndiejmë se qytetarët kanë sytë  çdo ditë e më shumë  tek ne, tek opozita shqiptare. Ata presin prej çdo dite përgjigje, zgjidhje, rrugëdalje, shpresë, përspektivë.

A po i japim ne këto? Unë e them me bindje se me gjithë përpjekjen tonë kaq nuk është e mjaftueshme!

Duhet të ndryshojmë kurs, duke filluar pikësëpari me korrigjimin e vetes sonë.

Refuzimi  i reflektimit do të thotë  të heqësh dorë nga të kuptuarit e gjërave, për pasojë mbetje në rrethin vicioz të përsëritjes së gabimeve apo më keq akoma rënies në gabime të reja.

Duhet të mposhtim rutinën e rrezikshme të familjarizimit me gabimet, vetëkënaqësinë.

Ky kuvend duhet të jetë kuvend i reflektimit, i shikimit përpara, i ndërtimit dhe interpretimit  të një opozitë  të fortë e  moderne, krijuese dhe frymëzuese.

Kemi detyrimin  për të ndërtuar një marrëdhënie të re dhe komunikimi të ri, shumë më të hapur e më të drejtpërdrejtë, me  organizatat e shoqërisë civile,  me  grupet e ndryshme të interesit, me qytetarët shqiptarë.

Dëgjimi i qytetarëve, i ndryshimeve që ato kërkojnë nga ne duhet të jetë libri i shenjtë i familjes tonë politike.

Ne vijmë nga idealet dhe idealistët  e  dhjetorit 1990.  Arma e jonë  e vetme përballë socialistëve janë idealet tona. Ne duhet t’i tregojmë njerëzve që kemi moralin për t’i mbrojtur këto ideale dhe për të qeverisur vendin.

Me 14 Maj, Kavaja ishte një pasqyrë e këtij modeli. Një shpresë e madhe që ngrohu zemrat demokratëve dhe mijëra shqiptarëve. Kjo duhet të jetë një pikënisje e rëndësishme.

Kjo është partia e gjithë demokratëve, por me shumë se kaq është alternativa e pushtetit, është institucioni i rotacionit, është pasuri e gjithë shqiptarëve.

Ne kemi qenë dhe jemi autoriteti moral i vendit. Me ketë vetëdije  le ta duam më shumë, le ta  ruajmë më shumë e ta shërbejmë më mirë, duke e mbajtur të  rrënjosur fort në  vlerat e  historisë së saj, duke e mbajtur  të hapur e demokratike, shtëpi të madhe të lirisë për të gjithë njerëzit që e duan Shqipërinë të bekuar.