AKTUALITET, 1 Maj 2023, 16:20

Harta e re gjyqësore/ “Dosjet mund të zvarriten”, avokati: I çon qytetarët drejt vetëgjyqësisë!

Harta e re gjyqësore/ “Dosjet mund të zvarriten”, avokati:

Sot hyri në fuqi harta e re gjyqësore, që çoi në shkrirjen e 9 gjykatave dhe prokurorive të rretheve. E mes pakënaqësive që krijoi kjo për prokurorët dhe gjyqtarët, në rresht pas tyre qëndrojnë edhe avokatët. Duke analizuar situatën në fjalë, avokati Ermal Hamataj është shprehur se harta e re gjyqësore është në dëm të interesave të qytetarëve.

Hamataj tha se qytetarët duhet të bëjnë 70-80 kilometra rrugë për të marrë drejtësi, gjë që sipas tij, ndikon që ata të largohen nga drejtësia.

Ai tha për Panorama.tv se kjo hartë e re gjyqësore mund të ndikojë që qytetarët t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me vetëgjyqësi, pasi sipas tij, një çështje zvarritet mbi 10-vite në gjykata.

"Me hartën e re gjyqësore janë mbyllur 9 gjykata dhe 9 prokurori përkatëse pranë këtyre gjykatave. Çështjet që kanë qenë aty, do të vijojnë të gjykohen nga të njëjtën gjyqtarë që janë aty. Nëse kjo hartë e re gjyqësore, nëse rëndon dikë, janë qytetarët. Këtu ka qytete që duhet të bëjnë 70-80 kilometra për të marrë drejtësi.

Nëse qytetarët janë larg aksesit në drejtësi, janë larg asaj që thotë ligji, që qytetarët duhet të kenë akses të njëjtë në drejtësi. Qytetarët e Bajram Currit do të ishin më komodë nëse gjykata të ishte atje. A e dini që këta qytetarë duhet të lënë gjithë ditën punën, për të bërë qoftë edhe një seancë gjyqësore? Duke mos patur as prokurorinë, qytetarët do të humbasin atë që është më jetësorja, të qenit apo të ndjerit i sigurt në qytetin e tyre. Do të kthehemi te vetëgjyqësia. Jeta efektive është 30 vite dhe nëse t’i 10 vite i lë në gjykata, atëherë qytetarët shikojnë opsionin e vetëgjyqësisë”,  tha Hamataj.