AKTUALITET, 7 Tetor 2023, 10:35

Hamasi sulmoi me raketa Izraelin, reagon Ministria e Jashtme: Nuk ka asnjë shqiptar të lënduar nga këto sulme

Hamasi sulmoi me raketa Izraelin, reagon Ministria e Jashtme: Nuk ka asnjë

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka reaguar pas sulmeve me raketa nga militantët e Hamasit në Izrael.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ministria e Jashtme bën me dije se asnjë shqiptar që jeton në Izrael nuk është lënduar nga sulmet.

Gjithashtu u bën thirrje shqiptarëve që jetojnë në zonën ku është kryer sulmi të ndjekin udhëzimet e Ambasadës Shqiptare në Izrael si dhe u ka vënë në dispozicion numrin e kontaktit.

Hamasi sulmoi me raketa Izraelin, reagon Ministria e Jashtme: Nuk ka asnjë

Reagimi i plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke ndjekur nga afër situatën e tensionuar në Izrael.

Sipas të dhënave deri më tani nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar nga këto sulme.

Të gjithë qytetarët shqiptarë në Izrael, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të kontaktojnë për çdo rast me Ambasadën Shqiptare në Izrael në numrin e kontaktit:

+972 54-4806601

Sulmi me raketa

Grupi militant i Hamasit lëshoi nga Rripi i Gazës mijëra raketa në drejtim të Izraelit mëngjesin e sotëm (7 tetor), duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv.

Mohammed Deif, udhëheqësi i grupit militant, tha se 5.000 raketa janë hedhur në Izrael në atë që ai e quajti “Operacioni Al-Aksa Storm”.

“Ne kemi vendosur të themi mjaft është mjaft”, tha Deif. “Ne e kemi paralajmëruar armikun edhe më parë. Pushtimi kreu qindra masakra kundër civilëve. Qindra dëshmorë dhe të plagosur vdiqën këtë vit për shkak të krimeve të pushtimit. Sulmi i parë, i cili synoi pozicionet e armikut, aeroportet dhe fortifikimet ushtarake, tejkaloi 5000 raketa dhe predha”, tha ajo.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se kanë shpallur gjendje gatishmërie për luftë në përgjigje të sulmit të befasishëm nga Gaza.

Ushtria izraelite ka nisur të kryejë sulme hakmarrëse ajrore në Rripin e Gazës dhe ka paralajmëruar se Hamasi do të paguajë një çmim shumë të rëndë.

Pas sulmeve me raketa dhjetëra persona të armatosur nga grupi militant Hamas duket se janë infiltruar në jug të Izraelit në një sulm të befasishëm.

Militantët palestinezë kanë nisur të qëllojnë mbi kalimtarët në rrugët e Izraelit jugor. Gjithashtu ka raportime se shtëpitë në Sderot janë pushtuar nga persona të armatosur.

Sulmi vjen në kohën kur në Izrael po shënohet një festë fetare hebreje. Po ashtu vjen pas një periudhe të luftimeve intensive në Bregun Perëndimor, ku pothuajse 200 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite gjatë bastisjeve këtë vit. Ndërkaq, si pasojë e sulmeve palestineze ndaj caqeve izraelite janë vrarë mbi 30 persona.

Izraeli ka mbajtur një bllokadë strikte në Gaza që kur Hamasi mori territorin në vitin 2007. Kufizimi i lëvizjes së mallrave dhe njerëzve ka shkatërruar ekonominë në Gaza, por Izraeli ka thënë se bllokada është e nevojshme për të parandaluar që armët të arrijnë te grupet militante.