AKTUALITET, 22 Shtator 2022, 12:41

Hakerat 14 muaj në sistemet qeveritare, Balluku: Nuk i kapëm dot sepse ishin të padukshëm!

Hakerat 14 muaj në sistemet qeveritare, Balluku: Nuk i kapëm dot

Zv/kryeministrja Belinda Balluku ka folur në Kuvend për sulmin kibernetik të Iranit në sistemet qeveritare shqiptare.

Duke iu referuar të dhënave të raportit të FBI që thotë se hakerat kishin qëndruar 14 muaj në sistem, Balluku deklaroi se ai nuk është konstatuar dot për shkak se ishte i padukshëm.

Duke u ndalur te akuzat e opozitës për investimin 180 mln euro, Balluku deklaroi se ato para kanë shkuar për digjitalizimin e vendit dhe jo për sigurinë kibernetike.

“Po ndodh një sulm i këtyre përmasave që nuk besoj se bini dakord që Shqipëria ka qenë në një sulm të hakeruar nga një shtet tjetër që nuk ka asnjë krahasim me një sulm tjetër që bëjnë adoleshentë në bodrumet e tyre.

Apo qoftë edhe profesionistë që kanë qëllime të tjera. Ky është një sulm që konsiderohet si sulm i paprecedentë që ka pasur për qëllim fshirjen e të gjitha të dhënave. Është nisur si sulm për të mbledhur të dhëna dhe për t’i shitur ato dhe pastaj është transformuar në sulm që synon të fshijë të dhënat. Jemi në një kohë të vështirë për politikën botërore. Ju e dini dhe vetë. E kuptoni se për çfarë po përballet ky vend. Duhet të shikojmë mënyrën e organizimit që ne kemi.

Shifrat që ju përmendët 180 mln euro kanë të bëjnë me investimin për të digjitalizuar Shqipërinë. Janë para që Estonia që është shtet i vogël i harxhon vetëm në një vit. Shqipëria i ka harxhuar në 9 vite për të digjitalizuar vendin. Sot qytetarëve nuk i duhet më të rrinë në radhë dhe të merren me operatorë që i priste në banaqe dhe bënte korrupsionin e 2 mijë lekëshit për një certifikatë. Mbi 1250 shërbime kemi online. 2.7 mln user të E-Albanias. Sulmi ka qenë një mësim.

Ashtu si u bë për Estoninë dhe vendet e tjera. Do vazhdojmë të investojmë. Digjitalizimi dhe siguria kibernetike janë dy sektorë të ndryshëm që ecin paralelisht. Kanë qëndruar në sistemet tona 14 muaj, kanë qenë të padukshëm. Nuk janë identifikuar sepse nuk kemi sisteme të avancuara.  Nuk kemi qenë të përgatitur për sulme të këtij niveli”, deklaroi ajo.