TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka dalë me një videomesazh nga Dhërmiu ku edhe po kalon pushimet verore, për të publikuar shifrat e hyrjeve në Shqipëri dhe për t’iu përgjigjur të gjithë kritikëve që thonë se nuk në vendin tonë nuk ka turistë.
Kreu i qeverisë thotë se nga aeroporti i Rinasit kanë hyrë pothuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se vjet. Madje, sipas tij këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë pasagjerë.
Sa i takon aludimeve se vendin e kanë braktisur edhe shqiptarët e Kosovës, Rama përsëri nxori shifrat, duke thënë se kjo është një teori dashakeqëse.
“Mbrëmë mora të dhënat e hyrjeve në Shqipëri nga aeroporti Nënë Tereza dhe nga hyrjet në Morinë. Nga aeroporti kanë hyrë pothuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se vjet. Madje këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operoje deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendëse dhe i paimagjinueshëm deri para ca vitesh.
Për shifrat e aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime që nuk pushojnë u zbraz Shqipëria edhe nga shqiptarët edhe nga turistët.
Aeroporti i Tiranës po mbush vitin në krye të klasifikimit evropian për rritjen relative me vitet paraardhëse. Tirana e ka spastruar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit, i cili ka qenë i pari në rajon.
Edhe shifrat e hyrjeve në Morinë, që i tregon regjistri elektronik i pagesës së autostradës ku mund të lexohet cdo hyrje, tregojnë se gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë makina më shumë se vjet, ndërsa në korrik, 3 mijë më shumë se vjet.
Pra edhe ajo teoria keqdashëse e përhapur në këtë sezon se shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë është një zero më xhufka”, tha Rama.
Kryeministri i konsideroi të gjithë kritikët që mendojnë se në Shqipëri nuk ka turiste si një sy i keq. “Tamam si ato hudhrat që e mbrojnë vendin nga syri i keq”, u shpreh Rama, i cili theksoi se po mbajnë shënime nga ky sezon, për të nxjerrë mësime.