AKTUALITET, 15 Shtator 2025, 13:34

Gjyqi për ish-krerët e UÇK në Hagë, Spiropali: Drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë

Gjyqi për ish-krerët e UÇK në Hagë, Spiropali:

Elisa Spiropali, ka reaguar për gjyqin që ka nisur në Hagë, ku po dëshmon pala mbrojtëse e ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spiropali shprehet se “drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë.” 

Sipas saj, çdo ekuivalencë mes akuzave të fajësisë dhe lirisë do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën.

“Në Hagë nisën sot dëshmitë e mbrojtjes për çlirimtarët e Kosovës, të gjendur prej kohësh në pritjen e pafund dhe të pamerituar. Në këtë moment, kur paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së, drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë.

Çdo vendosje ekuivalence mes akuzave të fajësisë mbi çlirimtarët dhe lirisë që ata sollën për shqiptarët e  Kosovës do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën, një pllakë turpi në historinë e popujve për liri dhe drejtësi.”, shkruan Spiropali.