TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Rrjedhja në media e një draft vendimi të Gjykatës Supreme në SHBA, e cila mund të rrëzojë legalizimin e abortit në shkallë vendi brenda tre muajsh, ka shkaktuar zemëratë dhe ka nxjerrë mijëra qytetarë në protesta në shumë shtete të SHBA-ve.
Miliona gra në mbarë SHBA-të mund të humbasin të drejtën e abortit, nëse Gjykata Supreme vendos të rrëzojë vendimin historik në çështjen Roe v Wade, që në vitin 1973 legalizonte abortin në të gjithë vendin, duke u dhënë grave të drejtë absolute për të abortuar në tremujorin e parë të shtatëzanisë.
Nëse Gjykata e merr këtë vendim në fund të qershorit apo fillim të korrikut, atëherë çdo shteti në SHBA i mbetet të vendosë vetë me ligj se si do të jetë i rregulluar aborti. Pritet që kjo të sjellë ndalimin e abortit në mbi gjysmën e shteteve në SHBA. 13 shtete e kanë kaluar ligje të njohura si "trigger laws", që në rast të një vendimi të tillë të Gjykatës Supreme, do të ndalonin automatikisht abortin.
Sipas të dhënave të Planned Parenthood, rreth 36 milionë gra mund të humbasin të drejtën e abortit në SHBA, nëse Roe v Wade rrëozohet.
Drafti nuk është final dhe në të shkuarën ka ndodhur që gjykatësit të ndryshojnë mendim deri në vendimin final.
Mijëra qytetarë dolën përpara Gjykatës në Washington për të protestuar, duke shprehur shqetësim se ky ligj do të privonte miliona gra nga e drejta për të vendosur për trupin e tyre dhe po kështu do të vinte shumë gra në rrezik serioz, duke rikthyer praktika të aborteve të paligjshme, apo duke i detyruar të udhëtojnë në shtete të tjera për të kryer procedura të tilla.
Ky është një debat mjaft i ndjeshëm që e ka polarizuar shpesh shoqërinë amerikane, megjithatë një sondazh i fundit i ABC/ Washington Post, tregon se 54% e amerikanëve janë "pro choice", pra në favor të zgjedhjes personale të gruas për të abortuar ose jo.
Roe v Wade dhe Gjykata Supreme sot
Roe v Wade është një vendim i vitti 1973, që i dha grave amerikane të drejtën absolute për të abortuar deri në tremujorin e parë të shtatëzanisë dhe disa të drejta të limituar për të abortuar në tremujorin e dytë.
Aktualisht Gjykata Supreme në SHBA është në shumicë konservatore. Gjashtë nga nëntë gjykatësit aktualë janë caktuar nga presidentë republikanë. Tre prej tyre janë caktuar nga ish Presidenti Donald Trump.
Sipas Politico, Gjykatësit Alito, Thomas, Gorsuch, Kavanaugh, Barrett, janë në favor të rrëzimit të Roe v Wade, çka do të përbënte shumicën.
Presidenti Biden ka deklaruar se është gati të veprojë, nëse gjyakta do të marrë këtë vendim.
"Unë besoj se e drejta e një gruaje për të zgjedhur është thelbësore. Roe ka qenë ligji ynë për të paktën pesëdhjetë vite, dhe e drejta dhe stabiliteti i ligjit tonë, kërkojnë që ai të mos rrëzohet", tha Presidenti.