AKTUALITET, 18 Prill 2023, 15:05

Furgoni i bllokuar në Has me pako të rezervave të shtetit, nisin hetimet për pretendimin e PD për blerje votash nga PS. Policia merr në pyetje 3 persona

Furgoni i bllokuar në Has me pako të rezervave të shtetit, nisin

Policia ka reaguar në lidhje me ndalimin një furgoni nga ana e përfaqësuesve demokratë me pretendimin se brenda kishin ndihma, që dyshohet se do iu shpërndaheshin qytetarëve, në këmbim të votave. Sipas Policisë, është bllokuar mjeti me targa AB 333 EC, me drejtues shtetasin B. M., brenda të cilit u gjetën pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e gjetura në furgon, shtetasit me inicialet B. M., E. M (vëllezër) dhe Sh. M. (me detyrë magazinier i bashkisë).

NJOFTIMI I POLICISË

Më datë 17.04.2023, rreth orës 21:00, një grup personash kanë bllokuar në qendër të qytetit të Hasit, një automjet furgon me targa AB 333 EC, me drejtues shtetasin B. M., me pretendimin se ishte i ngarkuar me pako me ndihma të cilat dyshonin se do të shpërndaheshin për llogari të një kandidati të një subjekti politik, dhe për këtë rast kanë njoftuar Komisariatin e Policisë Has dhe është vënë në dijeni Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has, pasi kanë marrë kallëzim nga shtetasi M. D. (njëri nga shtetasit që kishin bllokuar furgonin në qendër të qytetit), mbi pretendimin e tij, kanë njoftuar menjëherë Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, me qëllim marrjen e autorizimit për ushtrimin e  kontrollit në këtë furgon.

Pas marrjes së autorizimit nga Prokuroria, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has kanë shoqëruar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë, furgonin me targë AB 333 EC dhe në prezencë të oficerëve të Policisë Gjyqësore, drejtuesit të furgonit dhe palës kallëzuese, është ushtruar kontroll në brendësi të furgonit, ku janë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e gjetura në furgon, shtetasit B. M., E. M (vëllezër) dhe Sh. M. (me detyrë magazinier i bashkisë).

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijojnë veprimet procedurale për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet  e para procedurale, me kërkesë të Prokurorisë, i kanë kaluar për vlerësim këtij institucioni.