TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kandidati i PD-së për Bashkinë e Vorës Indrit Hoxha ka denoncuar sot qeverinë dhe kryebashkiakun e Tiranës se po ushtrojnë presion ndaj banorëve që iu janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti.
Hoxha tha sot se ky presion bëhet me një qëllim, për t’i frikësuar dhe për t’i detyruar që të votojnë për kandidatin e krimit dhe korrupsionit të Rilindjes për zgjedhjet e 14 majit.
“Prej shumë ditësh Erion Veliaj, qeveria dhe Bashkia Vorë janë duke iu ushtruar presion 450 familjeve të cilëve u është dëmtuar shtëpia nga tërmeti.
Ky presion bëhet me një qëllim. Për t’i frikësuar dhe për t’i detyruar që të votojnë për kandidatin e krimit dhe korrupsionit të Rilindjes për zgjedhjet e 14 majit.
Në stilin mafioz janë duke mbajtur peng, jetën normale me cati mbi kokë dhe gëzime apo hidhërime normale familjare, të 450 familjeve duke i lënë në mes të katër rrugëve për qëllime elektorale. Kjo është metoda e dy të pashpirtëve si Erion Veliaj dhe Edi Rama, që e përdorin jetën e njerëzve, hallin e tyre për qëllime politike”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, këtë gjë ka bërë në Tiranë për 8 vite, dhe këtë po bën edhe në Vorë me një këmbëngulje prej të ligu përgjatë kësaj fushate elektorale.
“Erion Veliaj dhe rilindja, kujtojnë se paratë e taksapaguesve shqiptare dhe qytetarëve të Vorës janë paratë e tyre personale. Ata e trajtojnë Shqipërinë si plaçkë të tyre, njerëzit si pronë dhe veten si skllavopronarë.
U bëj thirrje, sa nuk është vonë, të ndalojnë menjëherë presionin ndaj atyre familjeve, që jo vetëm i ka zënë halli, por duhet të mbajnë barrën edhe të Erion Veliajt dhe qeverisë së Edi Ramës.
Ftoj të gjitha mediat të ndjekin këtë rast, organet e drejtësisë dhe institucionet përkatëse, të krimit njerëzor që po ndodh me qytetarët e Vorës.
Jam këtu për t’u thënë se çdo njeri që tallet me hallet e njerëzve dhe u ushtron presion atyre, kushdo qofshin ata, nga patronazhistët te kryetari i Bashkisë, do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe politike”, u shpreh kandidati i PD.
Ai siguroi qytetarët e Vorës se, nga data 15 maj shtëpitë e tyre nuk do të ndahen me shortin e goglave, por do t’i marrin aty ku i kanë pasur.
“Çdo ankesë për dëmshpërblim do te rishikohet dhe dëmshpërblimi do të jetë aq sa ç’janë dëmet e secilit prej tyre.
Traumën dhe përbuzjen qeveritare nuk mund t’jua kompensojmë, por të drejtën do t’ia njohim dhe respektojmë.
U bëj thirrje qytetarëve të Vorës të mos dorëzohen nga presionet e pushtetit. Orët e tij në Vorë janë të numëruara. Në 15 maj fillon një periudhe e re për ta, një periudhë ku bashkia trajton dhe zgjidh problemet e njerëzve, në vend që t’u ushtrojë presion politik siç po bën bashkia e falimentuar dhe kriminalizuar e Rilindjes”, tha Hoxha.