AKTUALITET, 18 Prill 2023, 11:36

Boçi premton tre mijë vende pune: Do të hapim një park “Disney” në Elbasan

Boçi premton tre mijë vende pune: Do të hapim një park

Kandidati i koalicionit të opozitës "Bashkë Fitojmë" për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi po vazhdon takimet me qytetarët ku shpalos programin e tij, nëse vjen në krye të institucionit.

Luçiano Boçi u shpreh se do të hapë 3 mijë vende pune e madje tha se do të ndërtojë edhe “Disney park” në Elbasan, të ngjashëm me "cinecitta" në Romë. 

“Rezultati i Hapjes së vendeve të punës përfshin nga 2500 deri në 3000 vende pune. Pas qytetit të filmit, synojmë ndërtimin e parkut të madh të lojërave dhe zbavitjes dhe një format i ngjashëm, jo adekuat i “Disney park” ose Lego Park, që do të realizohet me ankand. Parqe të tillë janë ndërtuar edhe me iniciativë private.

Bashkia do të bëjë projektin dhe do të ftojë kompani botërore. E njëjta logjikë është ndjekur edhe në Romë. Pretendojmë që këtu të punësohen 200 njerëz me kohë të plotë,”- tha ai.

Një tjetër premtim i tij është 15 tregje të reja, duke shtuar se fokusi i tij do të jetë mbajtja e të rinjve në atdhe.