AKTUALITET, 18 Prill 2023, 14:50

“Po ble vota”, kandidati i PS-së në Has i kthehet akuzave të rivalit demokrat: Pakot ushqimore ishin për Natën e Kadrit

“Po ble vota”, kandidati i PS-së në Has i kthehet akuzave

Pas akuzave të bëra publike nga kandidati i PD-së për Hasin, Miftar Dauti se rivali i tij Halit Muja po ble vota, vjen reagimi nga ky i fundit. Dauti ka denoncuar kandidatin e Partisë Socialiste për këtë bashki, se djali i tij ka shpërndarë pako ushqimore dhe produkte të tjera te qytetarët, sipas tij “për të blerë votën më 14 maj”.

Duke publikuar një video, Dauti pretendon se djali i Halit Muajat ka shpërndarë pako ushqimore me një furgon.

Ndërkohë kandidati i PS-së, Halit Muja sqaroi se ato janë pako ushqimore të përvitshme që shpërndahen për Natën e Kadrit, që ishte më 17 prill. Duke e cilësuar si turp ekzagjerimin e këtij rasti, Muja thotë se “rivali i tij po tregohet shumë i vogël dhe se qytetarët e Hasit nuk duhet ta votojnë më 14 maj”.

“Në këtë Natë Kadri dua të shpreh gjithë keqardhjen time, gjithë neverinë dhe indinjatën jo vetëm time, ndaj rivalit tim, që disa pako tradicionalisht të përvitshme në këtë natë të bekuar jepen, po e ekzagjeron si blerje votash. Më vjen turp dhe u them sinqerisht se, nuk arrij ta kuptoj gjithë këtë ekzagjerim!

“E vetmja gjë që po kuptoj në gjithë këtë histori, është se, rivali im po tregohet shumë i vogël, gjë që unë nuk e dija që është në këtë nivel. Të dashur miqtë e mi, nuk dua të merrem me vogëlsira, ua lë në dorë ju të dashur hasian, ta refuzoni masivisht këtë vogëlsirë më 14 maj. Duke u kërkuar ndjesë për këtë reagim të detyruar nga sjellja negative e rivalit”, shkruan Muja në rrjetet sociale.