AKTUALITET, 12 Gusht 2025, 20:10

Fluks në pikën kufitare të Kakavijës, mbi 112 mijë udhëtarë në 10 ditët e para të gushtit

Fluks në pikën kufitare të Kakavijës, mbi 112 mijë

Autoritetet kufitare raportojnë për një rritje të ndjeshme të fluksit të udhëtarëve në Pikën Kufitare të Kakavijës gjatë ditëve të para të muajit gusht, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë 24 orëve të fundit përmes kësaj pike kanë kaluar rreth 12400 shtetas dhe mbi 4100 mjete.

Prej tyre, afërsisht 8 mijë persona kanë hyrë në Shqipëri dhe rreth 4400 kanë dalë.
Në hyrje janë regjistruar edhe rreth 2600 mjete dhe në dalje 1500.

Në 10 ditët e para të gushtit, numri total i kalimeve në këtë pikë kufitare ka arritur mbi 112 mijë shtetas dhe rreth 37500 mjete, një rritje prej 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Aktualisht, pala shqiptare po punon me 4 sportele në total, dy në hyrje dhe dy në dalje, ndërsa pala greke ka në funksion 3 sportele për përpunimin e dokumentacionit.

Në oraret me ngarkesë, koha mesatare e pritjes arrin në rreth 40 minuta. Për të përballuar këtë fluks të lartë, autoritetet nga të dyja palët po punojnë me kapacitete të plota, duke synuar të minimizojnë vonesat dhe të sigurojnë një proces sa më të shpejtë për qytetarët.

Rritja e ndjeshme e qarkullimit lidhet kryesisht me kthimin e mërgimtarëve për pushimet verore, si dhe me fluksin e turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit turistik.