AKTUALITET, 5 Mars 2026, 16:14

“Firmosi marrëveshjen e detit me Greqinë”/ Denoncimi i Tedi Blushit për ministrin e ri të Jashtëm: E “shiti” çështjen si të negociuar nga Berisha! Më jepte informacione

“Firmosi marrëveshjen e detit me Greqinë”/ Denoncimi i

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, nga Foltorja e Kuvendit, akuzoi Ferit Hoxhën, ministrin e ri të Jashtëm të sapovotuar në Parlament, se ishte personi që firmosi marrëveshjen e detit me Greqinë në vitin 2009. 

Blushi theksoi se në atë kohë, kur punonte gazetar, Hoxha si kryenegociator i Shqipërisë për këtë çështje i kishte dhënë informacione dhe kishte tentuar ta “shiste” firmosjen e marrëveshjes si të negociuar nga Sali Berisha.

Blushi theksoi se e kishte informuar Ilir Metën, kur ai ishte president, pasi në lojë kishte dalë sërish çështja e detit nga Edi Rama dhe se kur ministria e Jashtme e kohës i solli presidentit emrin e Hoxhës për ambasador në OKB.

Ai theksoi se presidenti Bajram Begaj ka të gjitha informacionet publike dhe të klasifikuara se çfarë ka ndodhur me marrëveshjen e detit, por pavarësisht kësaj e firmosi emrin e Hoxhës për ministër të Jashtëm.

“Dua të bëj publik një të vërtetë që e kam ndarë me presidentin e asaj kohe kur ushtroja detyrën e këshilltarit për mediat. Zoti Ferit Hoxha, 17 vite më parë, si kryeegociator firmosi marrëveshjen e detit me Greqinë sipas kërkesave të palës greke dhe nga ana tjetër, nxiste qëndrime të ashpra kundër marrëveshjes së detit, 17 vite më parë kam qenë gazetar te Gazeta Shqiptare dhe ditën e nesërme të publikimit të marrëveshjes kam publikuar këtë shkrim me titull “Berisha shet Greqinë, harta sekrete e Greqisë, i fali kufirin deri në Qeparo”. E kam bërë këtë shkrim, i bindur se ishte Berisha që po tradhtonte interesin kombëtar por nisur nga një fakt, marrëveshjen Tedi Blushit asokohe gazetar ia tha pikërisht Ferit Hoxha.

Ai i cili më vonë mësova se ishte pikërisht ai që kishte firmosur, dhe ishte rënë dakord me palën greke për këtë marrëveshje që ma vuri në dispozicion me orientimin e qartë Berisha shit detin. Në atë kohë vetëm emri im u përmend si denoncues i marrëveshjes ndërkohë që informacionin e merrja nga Ferit Hoxha. Më vonë mësova, i shokuar, që marrëveshja nuk e kishte negociuar Sali Berisha por kryenegociatori, ai i cili bënte lojë të dufishtë dhe më jepte informacione dhe ky është Ferit Hoxha.

Për disa prej jush, që nuk janë në parlament për të mbrojtur interesat kombëtare, reagoni në këtë formë, por dua t’ju them se për herë të parë këtë sekret profesional e ndava me presidentin e republikës të asaj kohe, që unë i shërbeva, burrë shteti patriot që gjatë ushtrimit të mandatit kishte mbrojtjen e interesit kombëtar, dhe denoncimi i lojërave të dyfishta që bënte Hoxha me Ramën, dhe të cilin e informova në një periudhë tensionesh institucionale kur Rama kishte rikthyer marrëveshjen e detit në qendër të politikës së jashtme. “, tha Blushi.

Blushi akuzoi gjithashtu Hoxhën se “ka mbi supe edhe zhdukjen e laptopit me informacione sekrete të NATO-s në OKB”. Blushi i kërkoi presidentit Begaj që të mos lejojë betimin e tij nesër si ministër, duke theksuar se në tavolinën e kreut të shtetit ka informacione konfidenciale për të.