TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Të paktën 86 persona janë shtruar në spital gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së dielës, si pasojë e një vale të re sulmesh iraniane ndaj Izraelit, bëri të ditur Ministria izraelite e Shëndetësisë.
Që nga fillimi i sulmeve të Iranit ndaj Izraelit – të cilat nisën si kundërpërgjigje ndaj një aksioni ushtarak izraelit më 13 qershor – numri i përgjithshëm i të shtruarve ka arritur në 2,835: përfshirë 23 të plagosur rëndë, 107 mesatarisht, 2,555 lehtë dhe 119 persona që kanë përjetuar ankth apo trauma psikologjike.
Autoritetet izraelite raportojnë gjithashtu se “rreth 20 persona” kanë pësuar lëndime të lehta si pasojë e një sulmi me raketë në një lagje banimi në Tel Aviv, tha zëdhënësi i policisë së qytetit për CNN nga vendi i ngjarjes.
Raketat, sipas zëdhënësit ndërkombëtar të policisë izraelite Dean Elsdunne, goditën “disa ndërtesa banimi të grupuara afër njëra-tjetrës” në lagjen Ramat Aviv. Ai tha për gazetarin e CNN, Nic Robertson, se ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të copave të raketave dhe po kontrollojnë rrënojat për persona të mundshëm të ngujuar.
Elsdunne shtoi gjithashtu se autoritetet janë në pritje të telefonatave nga familje që kanë humbur kontaktin me të afërmit e tyre që jetojnë në atë zonë.
Lagjja e goditur ndodhet pranë një qendre tregtare dhe një shkolle, bëri të ditur zëdhënësi.
“Shkatërrim në shkallë të gjerë” në Tel Aviv pas sulmit të Iranit me raketa këtë mëngjes
Ndërtesa janë dëmtuar rëndë në Tel Aviv pasi janë goditur nga një raketë iraniane, kanë bërë të ditur shërbimet e emergjencës, raporton CNN.
“Kjo është një zonë shkatërrimi në shkallë të gjerë. Disa ndërtesa banimi dykatëshe janë dëmtuar rëndë dhe disa janë shembur” tha agjencia e shërbimeve të emergjencës Magen David Adom (MDA).
Pamjet e publikuara nga shërbimet e emergjencës treguan pjesë të një ndërtese të kthyera në rrënoja dhe dëme të konsiderueshme në ndërtesat përreth.
Një numër i madh punonjësish të emergjencës ndodhen në vendngjarje.
Policia izraelite tha se oficerët dhe njësitë për çmontimin e bombave ndodheshin në vendin ku kishte rënë municioni në Izraelin qendror.
Një zyrtar i qytetit në qytetin verior të Haifës gjithashtu konfirmoi një goditje në qytet.
Shërbimet izraelite të emergjencës më herët kishin thënë se ishin nisur drejt të paktën 10 vendndodhjeve pas valës më të fundit të sulmeve me raketa iraniane.
“Forcat e Kërkim-Shpëtimit janë duke vepruar në disa zona në të gjithë vendin ku janë marrë raportime për predha të rëna”, tha ushtria izraelite.