AKTUALITET, 10 Korrik 2022, 08:26

Ekuacioni i energjisë

Ekuacioni i energjisë

Emergjenca e furnizimit me energji, e shtyrë deri në fund të këtij viti, erdhi në kushtet kur sektori mbetet më i paparashikueshëm se kurrë. Çmimet në bursa mbeten të pastabilizuara dhe pritshmëria është që ato të rriten gjatë verës.
Importet deri në maj ishin 145 milionë euro, dhe kjo shifër do të vijojë të rritet muaj pas muaji. Bizneset në tregun e lirë, që furnizohen me çmime preferenciale, ende nuk kanë një vendim final, nëse do të mbahen brenda së njëjtës marrëveshje me qeverinë, apo do të duhet të gjejnë furnizues privatë.
Vendosja e një fashe të re me çmim më të shtrenjtë për konsumatorët që “shpërdorojnë” energjinë mbetet e pafinalizuar. Prodhuesit privatë shprehen se ky vit është i dobët në prodhim dhe kriza e energjisë ka rritur nivelin e rrezikut në tregje, por edhe mundësitë. Në këtë sezon, kur situata hidrike mbetet problematike, vendi ka para një ekuacion me shumë të panjohura

Çmimet e energjisë po vazhdojnë të mbeten të pastabilizuar, duke përforcuar gjithmonë e më shumë idenë se koha që ato të kthehen në normalitetin e dikurshëm, mbetet e largët. Pritshmëritë ishin që ato të stabilizoheshin diku në 6-mujorin e dytë të vitit 2023, por kjo ishte në momentin kur në horizont nuk ishte ende lufta Rusi-Ukrainë. Goditjes së parë të krizës, që nisi nga mesi i vitit 2021, iu shtua së fundmi edhe ky konflikt.

Qeveritë anekënd globit po përballen me zhvillime dramatike, për shkak të efektit zinxhir që ka dhënë rritja e çmimeve, duke marrë politika specifike në mbështetje të popullatës. Në vendin tonë, me përjashtim të çmimit të energjisë për konsumatorin fundor në tregun e rregulluar që ka mbetur i pandryshuar, kostot e tjera janë rritur me shpejtësi. Duke mos pasur qartësi mbi atë që duhet të presim në vijim, debatet dhe planet mbi masat janë në zhvillim e sipër.

Këto të fundit kanë nisur të përshkallëzohen gradualisht, në përpjekje për të mbajtur në këmbë sektorin energjetik, që për shkak të rezervës energjetike të kufizuar në kaskadë, importeve me çmime relativisht të kripura dhe mungesës së diversifikimit të prodhimit rrit pasigurinë. Por cilat janë të njohurat dhe të panjohurat që kemi sot në ekuacionin e energjisë në fillimin e sezonit veror, kur shanset që çmimet e energjisë të shtrenjtohen, mbeten të larta.

Importet nga janari në maj arritën vlerën 145 milionë euro

Shqipëria vijon të mbetet në gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji, një vendim që u mor nga tetori i vitit të shkuar. Afati që fillimisht ishte deri në mes të prillit të 2022, u shty deri më 31 dhjetor, duke pasur parasysh që situata energjetike mbetet nën presionin e çmimeve. Detyrimin e sigurimit të energjisë për furnizim në vend që nga dhjetori i vitit të shkuar e ka Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

OSHEE ndërkohë merr vetëm energjinë nga prodhuesit me përparësi të energjisë, me të cilët ka një kontratë aktive dhe që mbulon pjesën e humbjeve. Të dhënat zyrtare tregojnë se importet në janar-maj 2022 kapën shifrën 145 milionë euro, një shifër dukshëm më e lartë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2020 kur çmimet mbeteshin të ulëta. Për janar-maj 2020 në atë kohë, nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u shpenzua një vlerë sa 33% e vlerës aktuale që korrespondon me 48 milionë euro.

Për shkak të situatës së mirë hidrike, viti 2021, në pjesën e parë të tij, kishte shpenzime edhe më minimale për energjinë, ku për janar-maj u shpenzuan pak më shumë se 365 mijë euro apo 0,25% e shumës së shpenzuar sot për të siguruar energjinë. KESH pohon se edhe gjatë verës, një pjesë të rëndësishme të energjisë që do të konsumohet në vend do ta prodhojë nga burimet e tij, ku bëjnë pjesë kaskada e Drinit, me një rezervë energjetike 1113 GWh (datë 13 qershor) dhe asetet termike të marrë me qira, që do të hyjnë në prodhim. Raporti prodhim dhe import do të jetë 55% dhe 45%.

Prodhuesit me përparësi do të paguajnë për disbalancat që shkaktojnë

Qeveria miratoi vetëm pak ditë më parë një vendim që detyron prodhuesit me përparësi të energjisë, që janë hidrocentralet me kapacitet të instaluar deri në 15 Mwh të paguajnë disbalancat që i shkaktojnë rrjetit energjetik në vend. Këto disbalanca, deri më tani, mbaheshin nga kompanitë publike. Pagesa, sipas qeverisë, do të jetë me çmim simbolik, por do të shërbejë pozitivisht për operatorët publikë që janë në vështirësi financiare.

“Të gjithë entitetet që prodhojnë energji, pra janë të përcaktuar si prodhues me përparësi të energjisë elektrike, do të paguajnë këto disbalanca, që padyshim është një çmim simbolik për sa i përket megavat/orë, por që shëndosh sistemin elektroenergjetik dhe financat e kompanive shtetërore, të cilat operojnë në këtë sistem”, – do të shprehej ministrja Belinda Balluku, pas miratimit të vendimit.

Por çfarë paraqet më në detaj ky vendim. Së pari, përcakton që operatorët publikë si Operatori i Sistemit të Transmetimit, Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe ai i Energjisë së Rinovueshme do të zbatojnë këtë vendim. Operatori i Energjisë së Rinovueshme do të jetë përgjegjës që të alokojë te prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike vlerën neto të faturave mujore të disbalancave, në përpjesëtim me prodhimin e matur të energjisë.

Detyrimi për prodhuesit me përparësi për disbalacnat do të llogaritet në bazë të një formule që merr parasysh palët përgjegjëse balancuese të grupit të balancimit, sasinë e energjisë totale të prodhuar dhe të konsumuar (në vlerë absolute) nga të gjithë palët përgjegjëse balancuese të grupit të balancimit të Operatorit të Energjisë së Rinovueshme, energjinë e matur gjë që rezulton në vlerën e faturës së disbalancave për palën përgjegjëse balancuese.

“Përveç sa më sipër, për shërbimin e balancimit, lideri i grupit të balancimit, Operatori i Energjisë së Rinovueshme do t’i ngarkojë pjesëmarrësve të grupit të balancimit një tarifë për mbulimin e shpenzimeve të këtij shërbimi, e cila përfaqëson kostot e OER-së për njësi lekë/kwh, shumëzuar me energjinë e matur/prodhuar. Pagesa për shërbimin e balancimit do të jetë shuma e vlerës së faturës së disbalancave për palën përgjegjëse balancuese, plus tarifën e shërbimit të balancimit” – thuhet në vendim.

Ende nuk ka një reagim nga prodhuesit me përparësi të energjisë në vend, për mënyrën sesi do të ndikojë ky aspekt pjesën financiare. Disbalancat në rrjet janë kthyer në problem prej kohësh, gjë që pak kohë më parë detyroi Operatorin e Transmetimit që të kërkonte në ERE reflektimin e garancive.

Bizneset, pjesërisht të liberalizuar, të paqarta se çfarë do të ndodhë

Bizneset e lidhur në tension 20, 10, 6 kilovolt, të cilat nga janari i këtij viti janë pjesërisht në treg të lirë, janë nën ethet e pasigurisë së asaj që do të ndodhë. Ata duhet të kishin gjetur furnizues privatë, sipas ligjit, dhe të furnizoheshin nga tregu i lirë që në fillim të vitit. Por për shkak të krizës dhe rritjes së çmimeve, qeveria vendosi t’i mbante me një çmim preferencial deri në qershor. Bizneset janë të pasigurta se çfarë do të ndodhë.

Muaj pas muaji, në varësi të tensionit ku janë lidhur, kanë paguar energjinë me rreth 19.7 lekë/kwh dhe 18.8 lekë/Kwh, që është dukshëm më i shtrenjtë sesa çmimi i rregulluar prej 11 lekësh më parë. Por ky çmim mbetet shumë më i lirë se ai në tregun e lirë që luhatet mes 30-35 lekë/kwh. Të pyetur nga “Monitor”, bizneset me aktivitet në agropërpunim, në industrinë automotive apo shërbime, siç janë hotelet, pohojnë se edhe çmimi i ofruar sot nga qeveria, përmes kësaj marrëveshjeje, vijon të mbetet i lartë.

Kjo rrit kostot e përgjithshme të operimit dhe produkteve të tyre. Një pjesë konfirmojnë se do të shohin mundësi për kontrata afatgjata, nëse do të gjejnë një çmim më të lirë me furnizuesit privatë, kurse të tjerë janë orientuar drejt impianteve fotovoltaikë brenda kapacitetit 500 Kwp që lejohet për vetëkonsum, i cili amortizon disi koston e faturave të energjisë.

Qeveria nuk ka vendosur se çfarë do të ndodhë me 7500 bizneset që furnizohen me një çmim më të lirë, falë një kontratë që OSHEE ka me KESH për të siguruar një pjesë të energjisë nga ky i fundit me çmim 12 lekë/kwh, duke shtuar më pas mbi të kosto të tjera, si tarifa transmetimi, shpërndarje apo operimi. Gjithsesi më herët ministrja Balluku ka deklaruar se nëse situata do të vijonte të mbetej problematike, këto biznese do të vazhdojnë të mbahen në rrjet me çmim preferencial.

Konsumatorët që do të paguajnë më shtrenjtë, ende pa një “fashë” zyrtare

Në përpjekje për të dekurajuar konsumin e energjisë, qeveria njoftoi prej disa muajsh se po hartonte një studim për të aplikuar çmime më të larta mbi një fashë të caktuar. Kjo skemë nuk është e re për Shqipërinë, veçse ndarja me fasha e tarifave ka qenë më herët një model që synonte mbështetjen me një tarifë më të lirë të atyre që konsumonin më pak, duke favorizuar shtresat vulnerabël.

Por tashmë logjika e ndarjes në faza synon të vërë në objektiv “shpërdoruesit”, duke vendosur një çmim më të lartë energjie mbi një fashë që fillimisht u lakua se do të ishte 700 kwh. Më pas, në një dalje publike, ministrja përgjegjëse për Energjinë do të shprehej se kjo fashë mund të ishte edhe mbi 800 kwh, duke lënë të kuptohet se ende nuk ishte finalizuar ky projekt. Mbetet e paqartë se në çfarë faze është nisma e qeverisë, e cila nëse do të zbatohet, do të përfshijë mijëra konsumatorë dhe që si rezultat i çmimit më të shtrenjtë do të çojë edhe më shumë para për arkëtimet.

Ajo synon të zbusë disi efektin e çmimeve të larta të blerjes së energjisë dhe çmimeve të ulëta të rregulluara, me të cilat shitet ajo, por sesa do të jetë efekti real, këtë nuk e ka thënë askush. Kjo ngjan më shumë si një përpjekje për të korrigjuar segmente shumë të vogla të tregut me një peshë modeste.

Ekuacioni i energjisë

Bursa e Energjisë, Dishnica: Hapi i radhës, përcaktimi i kostove dhe tarifave

Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) është në fazën finale të përcaktimit të modaliteteve mbi produktet që do të tregtohen dhe karakteristikat e tyre, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë përcaktimit të kostove dhe tarifave.

Sokol Dishnica, nga ALPEX, tha për “Monitor” se afati i dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, 23 nëntori i këtij viti për të nisur operimin normal, mbetet në fuqi dhe se puna me konsorciumin grek, për të cilin ka një kontratë mbi platformën, po vijon sipas parashikimeve. “Konsorciumi së bashku me Bursën Shqiptare, bazuar në kontratën që nënshkruam, është duke përshtatur në platformë zgjidhjet më të mira të karakteristikave të tregut shqiptar. Kjo lidhet drejtpërdrejt me operimin e sistemit të transmetimit.

Ndërtimi i Bursës është një proces kompleks, i cili nuk përbën vetëm sfidën financiare, por edhe atë teknike. Ne presim që më 23 nëntor të nisë operimi, sikurse është thënë më herët, ndërsa periudha dry-run, pra ajo e simulimit, të jetë në shtator, tetor. Platforma do të jetë gati dhe do të testohet me pjesëtarët e tregut që do të vijnë pranë nesh dhe do të pajisen me autorizimet përkatëse.

Jemi brenda afateve dhe detyrave që ka paracaktuar kontrata. Interesi ka qenë gjithmonë për bursën dhe pjesëmarrësit potencialë janë në pritje. Një pjesë e tyre janë të familjarizuar me bursën dhe aktivë në bursa si ajo e Greqisë, për aktivitetin e tyre ndaj do të jetë një proces i zakonshëm”, – sqaroi Dishinca. Sipas tij, faza e radhës që do të pasojë këtë ku ndodhet ALPEX, është përcaktimi i kostove dhe tarifave të pjesëmarrësve për të hyrë në këtë bursë dhe për të marrë pjesë aktive në transaksione.

Bursa e Energjisë është një projekt që nënvizohet prej vitesh, por finalizimi i saj ka qenë i vështirë, duke e zvarritur projektin. Kjo hallkë e tregut ka marrë rëndësi të veçantë, sidomos viteve të fundit, kur është kërkuar me ngulm për t’u bërë funksionale edhe për shkak të procesit të liberalizimit.

Nga viti 2018, në treg të lirë dolën mbi 90 biznese të lidhur në tension 35 kilovolt, kurse në janar të këtij viti, grupit iu bashkuan edhe 7500 të tjerë në tension 20,10, 6 kv. Për bursën kanë shfaqur interes edhe prodhuesit e energjisë, ku janë një sërë kompanish, prodhues të pavarur apo prodhues me përparësi, që mund të shohin interes për të dalë nga marrëveshja e rregulluar me shtetin./Monitor/