AKTUALITET, 22 Gusht 2023, 19:40

Dyshohet se u përplas me ‘BMW’ te diga e liqenit Artificial, arrestohet pas disa orësh shoferi

Dyshohet se u përplas me ‘BMW’ te diga e liqenit Artificial,

Policia e Tiranës ka vënë në pranga Eldi Allushi, i cili dyshohet se mëngjesin e sotëm shkaktoi aksidentin te diga e Liqenit Artificial.

26-vjeçari që në orët e para të mëngjesit, dyshohet se doli nga rruga me një makinë luksoze dhe u përplas tek bordurat mbrojtëse të liqenit.

I riu nga Durrësi, me shpejtësi skëterrë është ngjitur sipër kodrës e më pas ka përplasur mjetin "BMW" me bordurën e digës së Liqenit Artificial të Tiranës. 

Pas përplasjes, u largua nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete edhe targën. 

Njoftimi nga policia

Rreth orës 15:00 të ditës së sotme, Policia e Qarkullimit Rrugor Tiranë ka arritur të lokalizojë dhe shoqërojë në komisariat shtetasin E. A., pronar i automjetit BMW X6, i cili mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:15, është përplasur në bordurën mbrojtëse në skarpatin e digës së Liqenit Artificial.

Pronari i mjetit do t’i nënshtrohet verifikimeve dhe hetimeve të mëtejshme mbi rastin.