AKTUALITET, 22 Tetor 2023, 15:41

Dyshohet se transportonte armë nga Prishtina në Tiranë, arrestohet 20-vjeçari kosovar

Dyshohet se transportonte armë nga Prishtina në Tiranë,

Një 20-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia e Tiranës pasi u kap duke transportuar armë zjarri nga Kosova në Tiranë.

Blutë e Tiranës bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale L.B., banues në Prishtinë.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “BMW”, që 20-vjeçari drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dy armë zjarri pistoleta, me krëhër e municion luftarak, të cilat i kishte sjellë në Shqipëri për t’i shitur tek persona të tjerë.

Mësohet se policia ka sekuestruar armët e zjarrit, së bashku me automjetin dhe aparatin celular të të riut.

Ndërkohë, po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Transportuesi”.

Sekuestrohen dy armë zjarri pistoleta, krehra e municion luftarak, një automjet dhe një aparat celular. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që dyshohej se kishte transportuar armë zjarri, nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi”.

Si rezultat i tij, në afërsi të pallatit “Asllan Rusi”, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi L. B., 20 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “BMË”, që 20-vjeçari drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dy armë zjarri pistoleta, me krëhër e municion luftarak, të cilat i kishte sjellë në Shqipëri për ti shitur tek persona të tjerë.

Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe aparatin celular të 20-vjeçarit.

Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.