AKTUALITET, 22 Tetor 2023, 10:58

"Fatmir Mediu i bëri kërkesë Genc Rulit 1 muaj pasi mori detyrën", zbardhet dosja hetimore për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Reagon ish-ministri

"Fatmir Mediu i bëri kërkesë Genc Rulit 1 muaj pasi mori

Zbardhet dosja hetimore e SPAK në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani në Tiranë, që çoi pas hekurave Jamarbër Malltezi dhe iu caktua masa ‘detyrim paraqitje’ ish-kryeministrit Sali Berisha, nën akuzën për korrupsion. E njëjta masë u caktua edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi.

News24 ka siguruar dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme, ku tregohet edhe procedura e ndjekur për privatizimin e këtij kompleksit.

Fatmir Mediu, asokohe ministri i Mbrojtjes, në vitin 2005, vetëm një muaj pasi kishte marrë detyrën, i bën një kërkesë Rulit për çështjen e privatizimit të këtij klubi. Në dosje sqarohet se një pjesë e këtyre pronave, mes tyre edhe ish-kompleksi, vijonin t’i përkisnin Ministrisë së Mbrojtjes, duke iu referuar Listës së Pronave sipas Planit të Përhapjes dhe në Përdorim të Forcave të Armatosura. Por si iu hap rrugë privatizimit të ish-kompleksit?!

“Në vijim, lidhur me këtë pengesë, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i Dekretuar nga Presidenti i Republikës më datë 07.09.2005 (Dekreti nr. 4646), një muaj pasi kishte marrë detyrën, me shkresën nr. 9549/1 prot date 12.10.2005, i drejtohet METE-s, ministrit Genc Rulit, duke i bërë me dije se, Ministria e Mbrojtjes krahas pronësive të tjera të përcaktuara në VKM nr. 515 date 18.07.2003 ka në administrim edhe terrenet sportive ku është vendosur Klubi i Futbollit Partizani.

Nga studimi i bërë në Ministrinë e Mbrojtjes, bazuar në strategjinë e zhvillimit te FA dhe në kuadër të ristrukturimit të tyre, është konkluduar se këto terrene të mos përfshihen në planet e përhapjes së FA-ve. Ne këto kushte gjykojnë të nevojshme që të merren hapa të mëtejshme përsa i përket mënyrës dhe përgjegjësisë së administrimit të kësaj pronësie. Përsa më sipër kërkojnë mendimin e METE për veprime të mëtejshme në lidhje me administrimin e kësaj prone.”, sqarohet në dosje.

Në dokumentin në fjalë, thuhet se Mediu, përmes një shkresë kërkon sugjerime dhe nga ministri Rusi. “Në vijim, me shkresën nr. 9549/3 prot date 14.11.2005, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i parashtron Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, se: Klubi i Futbollit “Partizani” ne baze te VKM nr. 515 date 18.07.2003.eshte inventarizuar. Ne baze te VKM nr. 195 date 30.03.1998 “Per privatizimin e ndërmarrjeve qe nuk mund te transformohen” propozojnë miratimin e privatizimit të objekteve dhe terreneve sportive të Klubit të Futbollit “Partizani” duke mirëpritur sugjerimet e METE ne lidhje me forma të tjera.”, thuhet mes të tjerash.

Në një kohë kur emri i tij del në dosjen e SPAK për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, vjen një reagim nga ish-ministri Fatmir Mediu.

Mediu shpjegoi për News 24 faktin se pse ka dërguar shkresën ministrit Genc Ruli, një muaj pas marrjes së detyrës më 2005. Ai sqaron se kishte dërguar një përgjigje.

“Unë s'i kam çuar letër Rulit, por përgjigje një shkresë të Anastas Angjelit ish-Ministër i Ekonomisë që së bashku me Blendi Klosin kërkonin privatizimin e Partizanit tek Majko rreth muajit korrik 2005. Angjeli u zëvendësua nga Ruli dhe unë zëvendësova Majkon”, sqaron Mediu.

Në dosje sqarohet se Ministria e Mbrojtjes i hapi rrugë heqjes së pronës nga lista e pronave të FA-ve.