AKTUALITET, 25 Gusht 2022, 11:43

Dyshohet se transportoi Ervis Martinajn, sot do të jepet masa për policin 28-vjeçar

Dyshohet se transportoi Ervis Martinajn, sot do të jepet masa për

Jeton Lami, agjenti i Operacionales në Drejtorinë e Policisë së Shtetit që u arrestua pasi dyshohet se ndihmoi të shumëkërkuarin Ervis Martinaj të fshihej dhe të lëvizte me makinë, del sot në gjykatë për rivlerësim të masës së arrestit.

Ka nisur seanca në Gjykatën e Kurbinit për masën e sigurisë për agjentin Lami. Ndaj tij prokurori Bardhyl Shehu ka kërkuar masen e sigurise “arrest ne burg”.

Jeton Lami, 28 vjeç, banues në Tiranë, akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndërsa skandali në radhën e strukturës që ka si detyre arrestimin e personave të kërkuar është zbuluar nga hetimi i nisur pak ditë më parë, pas denoncimit të familjareve se kanë humbur kontaktet me 40-vjeçarin në arrati.

Hetimet për rrëmbim personi të drejtuara nga Prokuroria e Kurbinit, kanë zbuluar se polici 28-vjeçar Jeton Lami ka ndihmuar dhe transportuar Ervis Martinajn gjatë kohës që ishte shpallur në kërkim nga SPAK, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili e lidhte emrin e tij me disa ngjarje kriminale.

Jeton Lami është zbuluar nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të një hoteli në Durrës, ku ka qenë në shoqërinë e Ervis Martinajt dhe mbi bazë të provave të siguruara gjatë hetimit, Prokuroria e Kurbinit i kërkoi Gjykatës caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” me akuzën e shpërdorimit të detyrës, për agjentin e Policisë vendim që u mor më datë 23 gusht dhe u ekzekutua menjëherë nga Policia, e cila prangosi shtetasin Jeton Lami.

Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 23.08.2022, ka caktuar ndaj shtetasit J. L. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.