AKTUALITET, 16 Janar 2023, 12:52

Dyshohet për fshehje pasurie, GJKKO nis shqyrtimin e çështjes për ish-gjyqtarin Fatos Lulo

Dyshohet për fshehje pasurie, GJKKO nis shqyrtimin e çështjes

Gjykata e Posaçme Anti Korrupsion ka nisur të shqyrtojë çështjen në ngarkim të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, pasi SPAK e akuzon për "fshehje e mosdeklarim pasurie". SPAK pretendon se Lulo ka bilanc negativ të të ardhurave në dy pasuri, një apartament në Tiranë dhe në një zyrë 172 m2 e deklaruar si e dhuruar, në Rrugën e Durrësit.

Në seancën e radhës që do të zhvillohet më 30 janar, SPAK kërkon të pyeten katër dëshmitarë dhe të merren dy akt ekspertime financiare. 

Hetimi nisi një vit më parë, ndërsa në Prill të këtij viti, SPAK-u njoftoi se ishte vendosur dhe sekuestrimin e pasurisë. Ish-gjyqtarit Lulo iu sekuestrua një dyqan “me sipërfaqe 172 m2, ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë.

Lulo u largua nga sistemi i drejtësisë, si pasojë e procesit të rivlerësimit, dhe shkak kryesor kishte qenë pikërisht pamundësia për të justifikuar pasuritë në zotërim. Kjo është hera e parë që Drejtësia nis të veprojë ndaj ish magjistratëve që u lanë jashtë nga Vettingu.