AKTUALITET, 16 Janar 2023, 09:05

Kërkohet për mashtrim nga Gjermania, arrestohet 25-vjeçari nga Kosova në Morinë, pritet të ekstradohet

Kërkohet për mashtrim nga Gjermania, arrestohet 25-vjeçari nga

Një 25 vjeçar, banues në Fushë Kosovë me inicialet J. D. u ndalua nga policia kufitare në Morinë, Kukës pasi kërkohej nga Gjermania për veprën penale “Mashtrimi i rëndë”.

Blutë thanë se arrestimi i tij u krye përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë.

“Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, pasi Gjykata e Bambergut, Gjermani, me vendimin e datës 14.06.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi i rëndë”, parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë.

Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.