TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Tirana prej dhjetë ditësh është në kaos pasi protesta studentore e realizuar ndër ditë, jo vetëm që ka sjellë dëmtime të mëdha në biznese por shumë prej tyre kanë pezulluar aktivitetin e tyre. Në sajë të situatës së krijuar në vend, Dhoma Amerikane e tregtisë ka reaguar e shqetësuar, ndërsa u bën thirrje institucioneve që të marrin përsipër qetësimin e situatës me qëllim mbrojtjen e bizneseve.
Më tej, përgjatë deklaratës theksohet se paqëndrueshmëria mund të rrezikojë vazhdimësinë e bizneseve dhe të ndikojë negativisht në vendimet e investitorëve vendas dhe të huaj.
“Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri dëshiron të përcjellë shqetësimet serioze të anëtarëve për situatën e krijuar gjatë ditëve të fundit. Ky reagim buron nga përgjegjësia e Dhomës për t’i dhënë zë anëtarësisë së saj dhe për t’i sjellë problematikat e raportuara në vëmendjen e institucioneve dhe publikut.
Garantimi i sigurisë publike, mbrojtja e njerëzve dhe pronës private, respektimi i shtetit të së drejtës dhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm kërkojnë angazhim dhe veprime të koordinuara nga institucionet përkatëse. Të gjithë aktorët, kanë përgjegjësinë të veprojnë në mënyrë konstruktive, të refuzojnë dhunën dhe të kontribuojnë në krijimin e kushteve për një dialog kuptimplotë, përmes të cilit shqetësimet legjitime të mund të adresohen në përputhje me mekanizmat demokratikë.
Dhoma thekson gjithashtu se situata aktuale duhet parë në kontekstin më të gjerë të sfidave me të cilat përballet mjedisi i biznesit në Shqipëri. Prej vitesh, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive me institucionet publike, duke paraqitur rekomandime dhe propozuar ndryshime në projektligje, akte nënligjore dhe masa të tjera rregullatore që ndikojnë në komunitetin e biznesit. Pavarësisht këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, shumë prej shqetësimeve dhe rekomandimeve të anëtarëve tanë nuk kanë marrë vëmendjen dhe konsideratën e duhur. Konsultimi efektiv me komunitetin e biznesit është thelbësor për hartimin e politikave të qëndrueshme, forcimin e besimit te institucionet dhe krijimin e një klime investimesh të parashikueshme dhe konkurruese.”, theksohet në deklaratën e tyre.
Më tej, Dhoma Amerikane e Tregtisë sjell në vëmendje edhe gjetjet e Indeksit të Biznesit AmCham 2025–2026, ku evidentohen probleme si korrupsioni, monopolet, konkurrenca e pandershme, burokracia dhe informaliteti, si dhe rënia e perceptimit për klimën e biznesit.
“Edicioni më i fundit i Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane, AmCham Business Index (ABI) 2025–2026, evidentoi gjithashtu sfidat me të cilat përballen bizneset, përfshirë korrupsionin, monopolet dhe konkurrencën e pandershme, burokracinë dhe informalitetin, krahas një rënieje të ndjeshme të perceptimit mbi klimën e biznesit.
Këtyre sfidave të vazhdueshme u shtohet sot edhe pasiguria e krijuar. Sipas raportimeve që na janë përcjellë, shumë biznese janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa kanë shprehur ndjesinë se kanë mbetur pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse. Pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vijimësia e punës.
Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe ekzistencën e bizneseve, me pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi. Është po aq shqetësuese që pasiguria lidhur me mbrojtjen e njerëzve dhe pronës mund të cenojë besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar në vendimet e tyre për investime në Shqipëri.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri u bën thirrje Qeverisë, institucioneve përgjegjëse dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës aktuale. Veprimet e menjëhershme, të koordinuara dhe të përgjegjshme janë thelbësore për uljen e tensioneve, garantimin e sigurisë publike, mbrojtjen e njerëzve dhe të pronës publike e private, si dhe ruajtjen e vijimësisë së aktivitetit të bizneseve.
Të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë duhet të kontribuojnë në këtë përpjekje të përbashkët përmes dialogut konstruktiv dhe angazhimit efektiv, në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes së Shqipërisë.”, vijon më tej reagimi i Dhomës Amerikane e Tregtisë në Shqipëri.