AKTUALITET, 28 Shkurt 2022, 14:43

Dyshohen se vranë me armë zjarri në banesë 46-vjeçarin, gjykata e Vlorës cakton masën e sigurisë për të akuzuarit

Dyshohen se vranë me armë zjarri në banesë

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për Shazi Ahmetajn dhe Mateo Kiptiun, dy personat e dyshuar si të përfshirë në vrasjen e  46-vjeçarit Altin Alikaj, më 19 shkurt.

Shazi Ahmetaj, 23 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnjë, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes, dyshohet se është autori i ngjarjes së rëndë. Ndërkohë që Mateo Kiptiu, 30 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnje, akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

“Shtetasi Shazi Ahmetaj, dyshohet si autor i vrasjes se shtetasit Altin Alikaj, i cili u gjet pa shenja jete në banesën e tij, ndërsa shtetasi Mateo Kiptiu, dyshohet se ka ndihmuar autorin për t’u fshehur, duke i siguruar një mjet të marrë me qira për lëvizjen e tij”, u bë me dije nga Policia e Shtetit në momentin e arrestimit.

Alikaj u gjet në banesën e tij pa shenja jete nga e ëma që ishte kthyer nga Greqia e shqetësuar për fatin e të birit që kishte ditë i humbur.

Puna e grupit hetimor vijon për të zbardhur motivet e kësaj vrasjeje.