AKTUALITET, 19 Gusht 2023, 19:11

Drejtonte automjetin nën efektin e drogës, arrestohet një shtetas në Tiranë, ja çfarë zbuloi policia

Drejtonte automjetin nën efektin e drogës, arrestohet një shtetas

Një shtetas ka rënë në prangat e Policisë në Tiranë, pasi dyshohet se drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia përmes një njoftimi, ku thuhet se gjatë kontrolleve atij iu gjet një sasi lënde narkotike e llojit kokainë dhe një thikë.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Reagimi i Policisë:

Tiranë-Policia Rrugore vijon kontrollet e dedikuara, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, është arrestuar në flagrancë një shtetas që drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike.

Shkon në 29 numri i drejtuesve të automjeteve që kanë rezultuar në efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan, gjatë këtij viti.

Shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Forcës së Posaçme Shqiponja, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor dhe drejtojnë automjetet në mënyrë të parregullt, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin R. A.

Ky shtetas u ndalua për kontroll pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke mosrregulluar shpejtesine në qendra të banuara, dhe pas testimit me aparatin AquilaScan, rezultoi se shtetasi drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, dhe një mjet prerës thikë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i tij dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.