AKTUALITET, 8 Korrik 2023, 19:41

Dorëheqja e Rrajës/ “Territorin e kontrollojnë bandat, policia e pafuqishme”, BIRN: Vendimi, pas dhunës barbare të familjarëve të tij kundër qytetarëve

Dorëheqja e Rrajës/ “Territorin e kontrollojnë bandat,

Deputeti i Qarkut Durrës Rrahman Rraja njoftoi tërheqjen nga politika të shtunën pas publikimit të një videoje rrëqethëse në të cilën, familjarë të tij shfaqen duke rrahur me shkopinj bejsbolli dy qytetarë, “krimi” i të cilëve ishte që ishin ankuar në polici për shpërthimet e eksplozivëve në një gurore nën pronësinë e Rrajave, të cilat po u shkaktonin dëme në banesa.

Deputeti i Partisë Socialiste Rrahman Rraja njoftoi të shtunën tërheqjen nga parlamenti pas publikimit të një videoje në të cilën familjarë të tij, përfshirë dy vëllezër, i biri dhe disa nipër, shfaqen duke dhunuar në mënyrë mizore dy qytetarë, “krimi” i të cilëve ishte se ishin ankuar në polici për shpërthimet e eksplozivëve në një gurore nën pronësinë e të vëllait të deputetit, ndërsa kryeministri Edi Rama përballet me skandalin e rradhës të qeverisjes së tij.

“Deklaroj dorëzimin e mandatit te deputetit dhe terheqjen time nga jeta politike,” deklaroi Rraja, i cili ka qenë kryekomunar i Niklës nga viti 2003 deri në vitin 2015 dhe deputet i Partisë Socialiste, pasi ka mbaruar studimet në Universitetin Bujqësor në vitet 2003-2007. Deputeti deklaroi se ai e konsideron veten “prind të dështuar” dhe i bëri thirrje të birit, i cili është shpallur në kërkim nga policia, të dorëzohet. “Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë”, deklaroi Rrahman Rraja.

Një video disa anëtarë të familjes Rraja dhunojnë me shkopa bejsbolli dy kushërinj, pasi i gjetën ata në një lokal. Në video dëgjohet dikush që bërtet “Vrite – Vrite!” ndërsa goditjet e pamëshirshme vijojnë, në një akt që dukshëm ishte i synuar për të frikësuar viktimat, edhe pasi këta të fundit ishin të rrëzuar në dysheme. BIRN pyeti zyrën e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në lidhje me ngjarjen. Që të dy nuk janë përgjigjur për komente mbi këtë shkrim deri në kohën e publikimit. Ngjarja e rrahjes së banorëve të fshatit Borizanë u pa nga publiku i gjerë si tregues i kontrollit të bandave mbi territorin e vendit dhe pafuqishmërinë e Policisë së Shtetit për të ushtruar detyrën e vet kryesore, kontrollin e territorit. Të shtunën, kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku u takua me ministrin e Brendshëm Blendi Çuçi. Në fund të takimit, policia deklaroi se komisariati i Fushë-Krujës, ku gjendet edhe Nikla, “do të riorganizohet”, duke pranuar në mënyrë indirekte dështimin e kontrollit të territorit në një  zonë famëkeqe për praninë e krimit të organizuar.

Policia gjithashtu i bëri thirrje publike të shtunën Xhelal Rrajës, (i vëllai) dhe Rexhep Rrajës (i biri) i deputetit, të dorëzohen. “Policia e Shtetit i bën thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për tu dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit,” thuhet në njoftim. Rrahman Rraja është deputet i Partisë Socialiste që nga viti 2017 por ai u bë i njohur për publikun e gjerë në vitin 2018, kur një vajzë 25-vjeçare denoncoi të birin e tij Rexhepin, për përdhunim. Një ish-oficer policie, Emiljano Nuhu, kërkoi strehim politik në Zvicër pasi deklaroi se ishte kërcënuar nga familja Rraja. Denoncuesja ofroi mbështetje publike për të denoncuarin më vonë ndërsa ecuria e gjykimit të tij për përdhunim është e paqartë. Në vitin 2021, një anëtar tjetër i familjes, Redjan Rraja, u arrestua i dyshuar për pjesëmarrje në atentatin kundër ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe Landi Muharremit, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut, një figurë e njohur e krimit të organizuar, aktualisht në kërkim./Reporter.al