AKTUALITET, 28 Prill 2022, 15:25

Donfried: Presim që sa më shpejt të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Donfried: Presim që sa më shpejt të hapen negociatat për

Ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Karen Donfried, prej dy ditësh ndodhet në Ballkanin Perëndimor ku po zhvillon takime me liderët kryesorë dhe pritet që pasditen e sotme të jetë në Tiranë.

Donfrid në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe se vendi i ka kryer të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim në Union.

Ndër të tjera në fjalën e saj zyrtarja amerikane theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aspiratat e vendit tonë dhe presin hapjen sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm aspiratat tuaja dhe dëshirojnë që sa më shpejt të jetë e mundur një konferencë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ju keni përfunduar detyra të vështira duke përmbushur reformat e nevojshme dhe meritoni të ecni përpara. E kemi thënë edhe më herët, e them dhe tani: E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE. Integrimi juaj do të kontribuojë për një stabilitet më të madh në Ballkan dhe një prosperitet më të madh në Evropë,” ka thënë Donfried.