AKTUALITET, 6 Maj 2025, 21:57

“Doktor, pasha Zotin, ndihmojini sportistët!”, pas apelit të luftëtares së "Muay Thai", Berisha premton fond 5 milionë euro për talentet e rinj

“Doktor, pasha Zotin, ndihmojini sportistët!”, pas apelit

Në takimin përmbyllës të fushatës në Durrës, sportistja e arteve marciale Muay Thai, Ermira Rexhmati, iu drejtua me një apel emocional Sali Berishës për më shumë mbështetje ndaj sportistëve elitarë. “Doktor, pasha Zotin, ndihmojini sportistët”, u shpreh ajo nga skena. Berisha reagoi menjëherë duke premtuar krijimin e një fondi prej 5 milionë eurosh për të rinjtë e talentuar në sport, kulturë dhe teknologji.

Ai tha se ky fond do jetë pjesë e paktit kombëtar për rininë, një platformë që parashikon mbështetje për startup-e, grante për biznese të reja, vende pune të garantuara për të diplomuarit, dhe dyfishim të investimeve në arsim.

Berisha listoi gjithashtu një sërë masash që ai premton të realizojë në 100 ditët e para të qeverisjes, duke përfshirë rritje të pagave dhe pensioneve, ulje të çmimeve të energjisë dhe karburanteve, eliminim të taksave shtesë për ndërtimet dhe subvencione për fermerët dhe çiftet e reja. Ai theksoi se në qendër të qeverisjes së ardhshme do jetë rinia dhe familja shqiptare.