AKTUALITET, 6 Maj 2025, 20:50

Zbardhet dhuna ndaj efektivit në Kukës, identifikohet një prej autorëve, sherri nisi ditë më parë

Zbardhet dhuna ndaj efektivit në Kukës, identifikohet një prej

Policia e Kukësit ka zbardhur pjesërisht ngjarjen e rëndë ku një efektiv i qarkullimit rrugor u dhunua brutalisht nga disa persona, në rrugën drejt fshatit Pobreg. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm të lidhur me detyrën e tij.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 17:00 të ditës së martë, inspektori Q.D. është sulmuar fizikisht nga disa persona. Aktualisht, ai po jep kallëzimin pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë.

Nga hetimet e para, është identifikuar një nga autorët, me të cilin efektivi kishte pasur një debat disa ditë më parë gjatë ushtrimit të detyrës. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e pjesëmarrësve të tjerë në ngjarje.

Policia ka nisur procedurat për kapjen e autorëve, ndërkohë që punonjësi i policisë ka marrë ndihmë mjekësore për shkak të plagëve të marra gjatë dhunës.

"Rreth orës 17:00, Inspektor Q.D, punonjësi i Policisë Rrugore në DVP Kukës, ka njoftuar se në rrugën për në fshatin Pobreg, është konfliktuar fizikisht me disa persona për shkak të detyrës. Punonjësi i Policisë aktualisht është duke dhënë kallëzim pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë. Nga veprimet e para është identifikuar njëri prej personave që punonjësi i Policisë ka debatuar për shkak të detyrës ditë më parë.

Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, së bashku me grupin hetimor po punojnë për identifikimin dhe të personave të tjerë, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes", njoftoi zyrtarisht policia.