AKTUALITET, 12 Shtator 2024, 15:49

Digjet biznesi në Dobrovë të Peshkopisë, shkaktohen dëme të mëdha ekonomike

Digjet biznesi në Dobrovë të Peshkopisë, shkaktohen

Një biznes është përfshirë nga flakët pasditen e së mërkurës në lagjen “Dobrovë” të qytetit të Peshkopisë. Biznesi që operonte në tregun imobilar, por edhe fasoneri u përfshi nga zjarri në një nga ambientet e tij.

Si pasojë e materialeve prej druri zjarri u përhap me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar një dëm ekonomik qindra miliona lekë. Sipas specialistëve të shërbimit zjarrfikës në Dibër nga zjarri i rënë në biznesin e shtetasit Lazim Miftari janë djegur disa makineri të përpunimit të drurit, një sasi e madhe dërrase si dhe materiale të ndryshme. po ashtu janë djegur edhe disa makineri qepëse që gjendeshin në ambientet e magazinës. Gjithashtu mësohet se janë dëmtuar edhe rreth 50 koshere bletë që ndodheshin përreth godinës.

Për të izoluar zjarrin janë angazhuar 9 efektiv zjarrfikës dhe 2 automjete të Bashkisë Dibër. Në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe 5 efektiv të shërbimit zjarrfikës Bulqizë me 1 automjet, nga Dibra e Madhe e Maqedonisë se Veriut me 1 automjet dhe 4 punonjës. Nga ndërhyrja është bërë e mundur të fiket zjarri dhe të shpëtohet gjysma e Repartit të përpunimit të drurit. Policia ka nisur hetimet për rastin në fjalë për të gjetur shkakun e vërtetë të rënies së zjarrit ndërsa paraprakisht mendohet se shkak është bërë një shkëndijë elektrike.