AKTUALITET, 2 Shtator 2023, 22:09

Dhunoi policin dhe vëllanë, dëshmia e 29-vjeçarit: Më kishin lekë borxh, u takuam për t’i marrë, por përfunduam me fyerje (VIDEO)

Dhunoi policin dhe vëllanë, dëshmia e 29-vjeçarit: Më

Blerim Bulica, 29-vjeçari i cili u arrestua mbrëmjen e sotme pas dhunës që ushtroi ndaj policit në Tiranë dhe vëllait të tij, ka pretenduar se me vëllanë e policit njiheshin prej kohësh, duke qenë se janë nga Kukësi dhe kanë pasur një sherr të hershëm për një borxh të pashlyer.

Disa herë, sipas tij janë takuar për t'u sqaruar dhe gjatë kohës që kanë komunikuar së bashku kanë përfunduar me fyerje ndaj njëri-tjetrit.

Gjatë konfliktit, thotë policia – efektivit, i cili ishte jashtë shërbimit, i ka rënë arma në tokë, e cila është gjetur më pas në vendngjarje. Si pasojë e goditjeve që kanë marrë, polici dhe vëllai ndodhen në spital, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Siç duket nga pamjet, efektivit i është bërë pritë dhe i kanë bllokuar rrugën në momentin që është futur ne sheshpushimin e pallateve, pasi i kanë zënë rrugën me makina të tjera me targa angleze në hyrje që të mos kishte mundësi të largohej, kanë filluar ta qëllojnë më shkopa bejsbolli drejt xhamave te makinës.

Edhe pse tenton të largohet dhe të mbrohet, efektivi tenton të fusë automjetin drejt një garazhi të pallatit, por aty agresorët i kanë nxjerrë të dy nga makina dhe i kanë dhunuar. Efektivi dhe i afërmi i tij kanë tentuar vetëm të mbrohen nga agresorët. Edhe pse policia nuk e raportoi, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, çka ka sjellë panik edhe nga banorët e lagjes të cilët kanë lajmëruar policinë, por kjo e fundit ka mbërritur në vendin e ngjarjes kur janë larguar autorët e sulmit.

Dy personat kanë marrë dëmtime të rënda pasi ndaj tyre është ushtruar dhunë barbare.