AKTUALITET, 2 Shtator 2023, 18:11

Kuvendi Kombëtar i PD, analiza e VOA: Basha kritika të forta ndaj Ramës dhe Berishës

Kuvendi Kombëtar i PD, analiza e VOA: Basha kritika të forta ndaj

Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës mbajti sot Kuvendin Kombëtar, pak ditë pasi rizgjodhi kryetarin e saj Lulzim Basha. Kuvendi konfirmoi orientimin euro-atlantik të partisë, pas përçarjeve, që u shkaktuan nga shpallja non grata e ish-kryeministrit Sali Berisha prej SHBA-ve për korrupsion. Zoti Basha deklaroi se PD do t’i sigurojë një mbështetje të plotë SPAK-ut për të ndëshkuar korrupsionin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.

Partia Demokratike e opozitës zhvilloi sot Kuvendin Kombëtar në valën e përpjekjeve për t’u riorganizuar pas ndarjeve të ndryshme, që ndodhën në radhët e saj me shpalljen non grata nga SHBA të ish kryeministrit Sali Berisha. Kuvendi mbahet pak javë pas rizgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në drejtimin e saj. Në rezolutën e Kuvendit theksohet se Partia Demokratike konfirmon orientimin euroatlanik të saj në aleancë me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, dhe anëtarësimin e plotë të vendit në BE si objektiv kryesor të partisë kryesore opozitare.

Kuvendi nxiti SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë për më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se opozita është në vështirësi pas veprimeve të papërgjegjshme të ish drejtuesit të saj, ndërsa ajo Shqipëria ka nevojë për t’u ndarë nga e shkuara e korruptuar dhe për të ndërtuar një të ardhme europiane.

“Ne jemi bashkë sepse besojmë tek vlerat dhe parimet, tek e vërteta dhe beteja me krimin dhe korrupsionin dhe jo tek seleksionimi për të luftuar disa e për të kursyer disa të tjerë, me të cilët bëhen pazaret e natës. Për ne lufta ndaj krimit dhe korrupsionit në politikë e kudo është pa kompromis. Përballja me të keqen nuk ka ngjyrime apo aleanca, te dukshme apo te padukshme”, tha zoti Basha.

Opozita u angazhua për dekriminalizimin dhe dekomunistizimin e politikës shqiptare. Zoti Basha tha se Shqipëria ka shumë politikanë që abuzojnë përditë me pasuritë e saj dhe dëmtojnë të ardhmen e saj, ndërsa PD ishte shndërruar nga parti e lirisë në diktatin e një individi, por duart e pista te politikës se vjetër nuk fshihen dot pas baltës ndaj PD. Pasi fajësoi ish kryeministrin Berisha se për hallet e tij personale dëmtoi demokratët në garën e fundit zgjedhore, ai ftoi gjithë demokratët e foltores dhe qytetarët që mbështesin të djathtën.

Zoti Basha theksoi se marreveshja Berisha-Rama e vitit 2008 bëri që një grup mafioz të kapë gjithçka me oligarkinë ekonomike dhe krimin e organizuar, ndaj sot nevojitet tha ai mbështetje pa rezerva e drejtësisë për të ndëshkuar korrupsionin e politikanëve dhe zyrtarëve të nivelit të lartë.

“Aleanca mes politikës dhe krimit të organizuar e ka kthyer Shqipërinë në vëmendjen botërore si vend kyç për kartelet ndërkombëtare të narkotrafikut dhe pastrimit të parave. Nuk ka ditë që të mos vijnë lajme nga SPAK-u për zyrtarë, ministra apo ish ministra për afera korruptive qindra million dollarëshe. Ne e përshëndesim punën e deritanishme të SPAK-ut dhe e mbështesim plotësisht dhe pa ekuivok këtë organ të Reformës në Drejtësi. Korrupsioni i kësaj qeverie është pasojë e drejtpërdrejtë e përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme dhe mungesës së funksionimit të demokracisë”, tha zoti Basha.

Kuvendi zgjodhi Këshillin Kombëtar dhe shqyrtoi disa ndryshime në statut mbi marrëdhëniet e forumeve drejtuese të Partisë Demokratike, mes tyre bie në sy moskushtëzimi i drejtuesit kryesor për dorëheqje nëse humbet zgjedhje. Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha kontrollon një pjesë të deputetëve dhe përkrahësve të opozitës në bazë, pas lëvizjes së Foltores që nisi me shpalljen e tij non grata nga SHBA dhe përjashtimin nga grupi parlamentar, e cila kulmoi me marrjen me dhunë të selisë së Partisë Demokratike. Ndarjet, mosbesimi dhe përçarjet në radhët e kësaj partie bënë që në zgjedhjet vendore të 14 majit PD zyrtare të konkurronte me një numër minimal kandidatësh, ndërsa pjesa tjetër u përfshinë në koalicion me Partinë e Lirisë./VOA