AKTUALITET, 28 Mars 2025, 10:02

Detaje të reja/ Ekzekutimi i efektivit të policisë, prokuroria mbyll hetimet, çon për gjykim autorin: Ja shkaku i vrasjes

Detaje të reja/ Ekzekutimi i efektivit të policisë, prokuroria

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe dërgoi në gjyq A.M, i cili i mori jetën efektivit të “Shqiponjave”, N.C, krim i ndodhur rreth orës 13:30 të datës 13 Maj 2024 në fshatin Baltëz.

Nga hetimet ka rezultuar se 28-vjeçari N.C, në momentin kur u qëllua për vdekje, mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja”, gjë që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij.

Sipas organit hetues, konflikti mes autorit të ngjarjes dhe viktimës ka ndodhur për shkak se Azgan Mernica, teksa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.

Prokuroria informon se efektivi i Shqiponjave i ka tërhequr vëmendjen 24-vjeçarit për këtë veprim duke bërë që ky i fundit të ndalonte automjetin e tij dhe më pas ka zbritur me çantën ku kishte armën e zjarrit duke shkuar në drejtim të viktimës.

A.M ka nxjerrë pistoletën që mbante me vete dhe ka shtënë drejt fytyrës së efektivit, i cili nuk kishte dalë nga makina, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim shtetasin A.M për vrasjen e punonjësit të policisë së shtetit N.C.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.M. për veprat penale ‘Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’, parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg.I dhe 291 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.689, të vitit 2024 mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, u provua se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij.

Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.

Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurirt për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit të llojit pistoletë që mbante me vete dhe ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C. duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit.