AKTUALITET, 4 Tetor 2023, 17:00

Dëmet e paguara/ 971 mijë kontrata sigurimi, tregu rritet me 12%

Dëmet e paguara/ 971 mijë kontrata sigurimi, tregu rritet me 12%

Dëmet e paguara për sigurimin e makinave, pronave dhe shëndetit arritën në 4.3 mld lekë në 8 muajt e parë, me rritje në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkohë, tregu i sigurimeve është zgjeruar mbi 10% këtë periudhë. Gjatë muajit janar-gusht 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4.3 miliardë lekë, ose 3.5 % më shumë se 8-mujorin e vitit 2022.

Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të efektit të sigurimit të pasurive të paluajtshme dhe mjeteve motorike. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara  në këtë periudhë, i përkasin tregut të makinave, në vlerën 3.1 miliardë lekë. Në raportin që shfaq Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shihet se vlera e aseteve nga siguracionet arriti në rreth 8.9 miliardë lekë.

Sipas dokumentit, gjatë periudhës janar-gusht, numri i kontratave të lidhura arriti në 971 000 me rritje 12 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur u lidhën 867 mijë të tilla. AMF vlerëson se tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e i makinave dhe pronave, të cilat sollën 86 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, kundrejt 14% që kapin policat për sigurimin jetës. Sigurimi vullnetar zë 46.5 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.5 % të totalit të tregut.